Haxhiu: Kosova mbetet e vendosur ta thellojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara
U.d. presidentja, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka theksuar se Kosova e ka të rrënjosur në kujtesë mbështetjen amerikane.
“Në momentet përcaktuese të historisë sonë moderne, Shtetet e Bashkuara qëndruan në anën e lirisë, të paqes dhe të së drejtës së popullit tonë”.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht për rrugën tonë drejt NATO-s, për sigurinë rajonale dhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kosova mbetet e vendosur ta thellojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara, si aleate e besueshme dhe si vend që e sheh të ardhmen e vet natyrshëm në NATO, në Evropë dhe përkrah botës demokratike”, ka shkruar Haxhiu në ‘Facebook’.



