Haxhiu: Kosova mbetet përherë mirënjohëse ndaj SHBA-së
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të komandës së U.S. Army Area Support Group Balkans, të mbajtur në Camp Bondsteel, ku koloneli Kurt A. Rorvik mori zyrtarisht detyrën e komandantit të kësaj njësie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu tha se ceremonia shënoi edhe vlerësimin për punën e komandantit në largim dhe bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Camp Bondsteel dhe institucioneve të Kosovës.
“Në këtë rast të rëndësishëm, vlerësojmë shërbimin dhe përkushtimin e komandantit në largim, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm të Camp Bondsteel me institucionet e sigurisë, autoritetet civile dhe qytetarët e Kosovës. I uroj COL Rorvik suksese në detyrën e re, me besimin se bashkëpunimi ndërmjet komandës së Camp Bondsteel dhe institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë të forcohet, në shërbim të sigurisë së vendit, stabilitetit rajonal dhe të mirës së qytetarëve tanë. Kosova mbetet përherë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Forcave të Armatosura Amerikane për kontributin jetik dhe të pazëvendësueshëm në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë”, ka shkruar Haxhiu.



