Haxhiu: Labani dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët e BIA-s

10 gusht 2025 | 13:25

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se gjyqtari serb i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët e Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA).

Deklarata e Haxhit vjen pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur për anulimin e disa vazhdimeve të seancës konstituive të Kuvendit dhe se kjo duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Ajo ka  vendosur që një kandidat për kryetar të Kuvendit duhet të votohet në votim të hapur deri në tri herë.

“Së fundmi u rikthye sërish në vëmendje përbërja e Gjykatës Kushtetuese, shqetësim ky i ngritur nga që në nismë të vendosjes së njërit prej gjyqtarëve serb aty”, ka thënë Haxhiu në konferencë për medie.

Ajo ka thënë se “Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe për ta penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e mundshme”, duke iu referuar aktgjykimit të Kushtetueses.

Haxhiu ka thënë se Labani “është njëri nga bashkëpunëtorët e agjencisë për siguri dhe informim të Serbisë, e njohur si BIA”.

Ajo ka thënë se gjyqtari është i afërt edhe me Milan Radoiçiqin dhe me Vladimir Radivojeviqin, një prej pjesëmarrësve në sulmin e shtatorit të vitit 2023 në Banjskë.

“Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Republikën e Kosovës. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llabanit”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka dhënë dyshime për mënyrën e lirimit të Llabanit nga vuajtja e dënimit në Serbi, ndërsa u shpreh se ai dhe familja e tij përfitojnë direkt nga Serbia.

Për këtë, ajo ka thënë se “janë njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese”.

Partia e Kurtit është përpjekur ta bënte të fshehtë votimin në seancën konstituive, pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi disa herë në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…