Haxhiu mirëpret arrestimin e shtatë administratorëve të ‘Albkings’
30 maj 2024
| 15:01
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur angazhimin institucional të policisë dhe prokurorisë në mbylljen dhe arrestimin e administratorëve të grupit famëkeq në rrjetin social “Telegram”, “Albkings”.
Haxhiu ka thënë se “Albkings” mund të jetë një lajm i pasdites apo mbrëmjeve, por për shumë vajza dhe gra, viktima të këtij grupi do të mbetet plagë dhe traumë jetësore.
“Si institucione e kemi për obligim që të mos lejojmë individë apo grupe njerëzish me mendësi kriminale që përmes rrjeteve sociale apo formave të tjera të shkatërrojnë jetët e vajzave dhe grave”, ka thënë Haxhiu.
Të enjten, prokuroria përmes një konference për medie ka njoftuar se janë arrestuar shtatë persona të cilët administronin me grupin famëkeq “Albkings”.