Haxhiu: Misionet ndërkombëtare nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë
Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një krim që është mbajtur në heshtje për një kohë të gjatë.
Kështu ka deklaruar ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
“Në Kosovën e pasluftës shumë gjëra u numëruan: shtëpitë e djegura, masakrat, njerëzit e vrarë, të pagjeturit, dëmet, varret, kolonat e gjata. U numërua ajo që shihej. Por ajo që kishte mbetur brenda njeriut mbeti pa emër dhe pa vend në rrëfimin tonë publik. Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një prej krimeve që u mbajt shumë gjatë në heshtje. U bë strehë për një dhimbje që njeriu e mban në vete edhe kur mbaron lufta. Për këtë krim fjala emërton, ngase rrethohej me shumë frikë, shumë turp dhe shumë gjykim. Për këtë arsye sot duhet të flasim me shumë kujdes. Rrëfimi u takon personave të dhunuar gjatë luftës. Ne jemi këtu për ta bërë të qartë se Republika e Kosovës, Republika jonë, u ka borxh njohje, drejtësi dhe kujdes shtetëror”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se krimet seksuale synonin jo vetëm trupin dhe individin, por edhe ndjenjën e sigurisë së një shoqërie të tërë.
“Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale na kujton se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ishte pasojë anësore e luftës. Ishte krim që synonte jo vetëm trupin dhe njeriun, por edhe familjen, bashkësinë dhe vetë ndjenjën e sigurisë së një shoqërie të tërë. Prandaj dua të theksoj se turpi nuk u takon personave të dhunuar gjatë luftës, të dhunuar seksualisht gjatë luftës. Ai u takon atyre që kryen krimin, atyre që urdhëruan dhe atyre që e mohuan. E ata që e kryen këtë krim dhe e urdhëruan atë duhet të ndëshkohen nga sistemi ynë i drejtësisë. Në këtë drejtim shumë pak është bërë pas përfundimit të luftës. Fatkeqësisht, misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë me këtë qëllim asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që Serbia i ka bërë në vendin tonë. Këtë e kam thënë edhe më herët, po e përsëris sërish: asnjë prej misioneve që kishin ardhur për t’u marrë me krimet e luftës, në fakt nuk ishin marrë me krimet e luftës. Vitet e fundit, unë besoj se pajtohemi që ka pasur përparime në këtë drejtim, ndonëse kaq shumë krime janë bërë nga Serbia në Kosovë sa që edhe veprimet që janë ndërmarrë vitet e fundit na duken pak”, ka thënë Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha masat për adresimin e krimeve të luftës.
“Prandaj, me këtë rast, unë i thërras institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin veprime dhe të mos e ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës. Tashmë, fatmirësisht, ka edhe dënime të personave që kanë kryer dhunë seksuale gjatë luftës, ka edhe shumë hetime e aktakuza. Në këtë rast më duhet të falënderoj zonjën Feride Rushiti për punën e madhe që ka bërë në këtë drejtim, por edhe të gjitha organizatat që, në fakt, e kanë zëvendësuar shtetin, sepse është shteti ynë ai që është dashur të merret me këtë çështje që nga përfundimi i luftës. Megjithatë, shumë vonë janë ndërmarrë veprime që ndërlidhen me fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, me rritjen e numrit të prokurorëve, me Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale, si dhe me gjykimin në mungesë”, ka thënë Haxhiu. /EO



