Haxhiu: Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, sa asnjë insinuatë nuk mund t’ju bëjë më punë
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë.
“Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të. Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor. Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë. Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë. Por Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë”, ka shkruar Haxhiu.



