Haxhiu takohet me Avokatin e Popullit të Kosovës dhe atë të Shqipërisë
Avokati i Popullit, Naim Qelaj dhe Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë, Endrit Shabani, kanë zhvilluar takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ky takim është realizuar në kuadër të vizitës zyrtare të Avokatit të Popullit Endrit Shabani, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.
Me këtë rast, Haxhiu ka folur disa fjalë edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Haxhiu ka thënë se do të mundohet të ndihmojë në këtë proces.
“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim, do të ketë edhe ditëve në vijim. Unë jam shumë e hapur që me iu ndihmuar nëse mundem në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Gjatë kësaj vizite, Qelaj dhe Shabani pritet të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues të tjerë institucionalë në Kosovë. Dy homologët do të takohen gjatë ditës edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi.



