Haxhiu takohet me kryeministrin e Çekisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE, Ballkani Perëndimor në Tivat është takuar me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babish.
Gjatë këtij takimi, Haxhiu e ka falënderuar Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
Në takim është diskutuar edhe për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit, ku Haxhiu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetjen e saj edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.
Haxhiu ka theksuar se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar.
Ajo po ashtu ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
U.d. presidentja Haxhiu ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.



