
Haxhiu thekson rëndësinë e angazhimit të grave në luftën për barazi gjinore
Në punëtorinë “Dialog për zhvillimin e politikave të ndjeshme gjinore”, u diskutua për rolin e grave dhe të rinjve në partitë politike.
Si pjesë e panelit, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për analizat dhe diskutimet e gjata deri në themelimin e organizatës Gratë për Vetëvendosje!, si një nismë që lindi nga vetë gratë dhe vajzat aktiviste.
“Theksova rëndësinë e angazhimit të grave në luftën për barazi gjinore dhe konsolidimi i GVV-së në aspektin organizativ dhe politik pas tri viteve. U diskutuan sfidat aktuale, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve lokale, ku angazhimi politik në zona rurale mbetet sfidues për gratë. Në fund, folëm për përvojat personale dhe rëndësinë e kuotave gjinore si dhe nevojën për programe mentorimi, trajnime dhe edukim politik për gratë dhe të rinjtë që synojnë angazhimin në politikë. Kjo punëtori u organizua nga GIZ, Danpe dhe QKSGJ”, ka shkruar në “Facebook” Haxhiu.