
Haxhiu thotë se i kanë votat për formimin e Qeverisë: Le të na sfidojnë
Kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pas dështimit të 28-të për të konstituuar këtë institucion.
Ajo ka thënë se në 28-të seancat e mbajtura nuk kanë parë as minimumin e vullnetit të opozitës për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit.
“Siç e dini më 1 maj ka filluar propozimi i kryesuesit të seancës konstituive, duke pasur parasysh që kishte disa dështime me votim të hapur. Në asnjërën prej këtyre seancave nuk e kemi parë as minimumin e vullnetit të opozitës për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Haxhi ka deklaruar se kjo parti i ka numrat për qeverinë, duke fajësuar partitë opozitare se ato po e mbajnë peng Kuvendin, pasi që, të njëjtat, sipas Haxhiut, e dinë që VV-ja i ka numrat për Qeverinë.
‘‘Sa i përket Qeverisë, ne i kemi numrat për Qeverinë. Le të na masin, le ta na sfidojnë. Pra në momentin kur konstituohet kuvendi, dhe jepet mandatari nga presidentja, pastaj ka afate janë 15 ditë që ka në dispozicion mandatari edhe mund të na sfidojnë. Këta e din që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin’’, ka thënë ajo, raporton Ekonomia Online.