Haxhiu uron Fitër Bajramin: Le të na shërbejë kjo festë si kujtesë se secili mund të japim shumëçka nga vetja

20 mars 2026 | 14:11

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu me rastin e festës së Fitër Bajrami ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës.

Haxhiu ka theksuar peshën e kësaj feste dhe virtytet e mira të saj, duke thënë se është shumë e rëndësishme.

“Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin këtu në këtë ditë të Fitër Bajramit. Urova Myftiun Tërnava, sikurse edhe bashkëpunëtorët e tij, sikurse edhe qytetarët e Republikës së Kosovës të besimit islam për festën që kurorëzon një muaj të sakrificës, një muaj të përkushtimit dhe po ashtu një muaj të durimit. Natyrisht që për qytetarët e Republikës së Kosovës, qytetarët e besimit islam, festa e Fitër Bajramit është një festë shumë e rëndësishme, shumë domethënëse. Muaji i shenjtë i Ramazanit na mëson durimin, na mëson mirësinë, ndërsa festa e Fitër Bajramit na mëson se si këto vlera mirësie t’i ndajmë me të tjerët”, ka thënë Haxhiu.

Më tutje, ajo ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë shumë për shoqërinë e vendit dhe shtetin.

“Vizita jonë sot këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës është edhe si shenjë respekti për punën, për kontributin që Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, e sidomos në kultivimin e paqes, në bashkëjetesën ndërfetare, në mirëkuptim, që janë vlera shumë të rëndësishme për shoqërinë, por edhe për Republikën e Kosovës. Le të na shërbejë kjo festë e Fitër Bajramit si kujtesë se secili nga ne mund të japim shumëçka nga vetja, pikërisht që t’i lartësojmë këto vlera të shoqërisë sonë dhe pikërisht në këtë mënyrë e forcojmë besimin, por po ashtu edhe ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Me fat Fitër Bajrami, paqe, shëndet dhe begati për secilën familje. Faleminderit! Më lejoni që edhe juve mediave t’ju uroj Fitër Bajramin”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i djathtë i Real Madrid, Trent Alexander-Arnold, është lënë…