Haxhiu zbulon se kur do të votohet qeveria Kurti 2
Fundi i marsit pritet ta gjejë Kosovën me qeveri të re. E pas kësaj pritet të zgjidhet edhe presidenti i vendit.
Këtë plan të partisë fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit e shpalos anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Ajo thotë se partia e saj nuk do ta ketë problem t’i bëjë numrat për votim të Albin Kurtit për kryeministër.
Aktualisht, ky i fundit dhe kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente janë emrat e vetëm për poste shtetërore.
“Nuk dihen ende emrat e zëvendëskryeministrave apo emrat e ministrave apo ministreve dhe besoj që shumë shpejt ajo do të bëhen publike”, tha Haxhiu.
Haxhiut iu mohua gara për deputete për shkak se ka dënim të formës së prerë në tri vjetët e fundit. Por kjo mund të marr post ministror, ashtu si në qeverinë Kurti 1, gjë për të cilën shprehet e gatshme, njofton Klan Kosova.
Ish-ministrja e Drejtësisë pret që opozita të qëndrojë në sallë për votimin e presidentes. Andaj tregon se pas konstituimit të Kuvendit, do të ketë takime ndërmjet partive.
“Do të kemi komunikime me ato subjekte sepse nuk do të shkojmë në seancë me një farë arrogance”, deklaroi ajo.
Zgjedhja e presidentit dhe situata pandemike janë dy arsyet që, sipas Haxhiut, institucionet duhet të krijohen sa më shpejt.