Hazardi kritikon VAR-in: Po ia zbeh emocionin futbollit
Ish-futbollisti i Chelseat dhe Real Madridit, Eden Hazard, ka shprehur kritika ndaj sistemit të arbitrit me video, VAR, duke thënë se ai po ia zbeh emocionin futbollit.
Hazard ka thënë se do të preferonte që ky sistem të hiqej nga futbolli, pasi sipas tij ndërhyrja e teknologjisë shpesh është duke e prishur spontanitetin e lojës.
Ish-sulmuesi belg është shprehur se VAR-i, jo vetëm që është duke e zgjatur procesin e vendimmarrjes, por gjithashtu është duke ua prishur momentin e festës futbollistëve dhe tifozëve.
Sipas tij, shpesh ndodh që një gol i bukur të mos festohet menjëherë, pasi lojtarët dhe tifozët duhet të presin disa minuta për të mësuar nëse goli do të pranohet apo jo.
Hazard ka thënë se futbolli gjithmonë ka pasur një element të padrejtësisë, i cili sipas tij i jep njëfarë “sharmi” lojës, edhe pse jo gjithmonë është i pranueshëm për tifozët kur vendimet shkojnë kundër ekipit të tyre.
Megjithatë, ai ka pranuar se teknologjia synon ta bëjë lojën më të drejtë, por shtoi se ndërhyrja e saj mund të largojë dramën dhe spontanitetin që e bëjnë futbollin tërheqës për lojtarët dhe tifozët.



