
Haziri: Gjilani realizoi të hyra për 217 për qind më shumë se në vitin 2020
Komuna e Gjilanit ka shënuar rritjen më të madhe ndonjëherë të të hyrave vetanake në kodin e Tatimit në Pronë, falë ardhjes masive të mërgimtarëve dhe lojalitetit të tyre për të kryer obligimet shtetërore në vendlindjen e tyre.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë analizimit të të hyrave në bazë të shifrave zyrtare që disponon Drejtoria e Financave në Gjilan, ka theksuar se ka rritje të inkasimit në kategorinë e Tatimit në Pronë, që fatbardhësisht sipas tij edhe qytetarët e Gjilanit, por në masë të jashtëzakonshme iu kanë përgjigjur pagesave mërgimtarët tanë.
“Përkundër që një vit më parë gjilanasit për shkak të pandemisë mbetën pa u takuar me familjarët e tyre në mërgatë, ata këtë vit kanë ardhur me plotë të mira. Në këtë rrafsh përfituese është edhe komuna e Gjilanit, në kodin buxhetor të Tatimit në Pronë, ku kemi të hyra për 217 për qind më shumë se në gjashtë mujorin e vitit 2020 dhe të hyrat më të mëdha të shënuara ndonjëherë deri më sot kur analizohen edhe dy muajt e sezonit të verës. Deri më tani është realizuar planifikimi në të hyra nga Tatimi në Pronë mbi 74 për qind dhe mbi 63 për qind nga të hyrat e përgjithshme”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka falënderuar të gjithë mërgimtarët që këtë vit kanë ardhur në vendlindje, duke u dëshiruar atyre pushime të mira në Kosovë dhe njëkohësisht ka uruar fat, shëndet dhe suksese pas kthimit në vendin ku ata janë duke punuar dhe jetuar me familjet e tyre.