
Haziri i ashpër me LV-në: S’mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe me bomba edhe pa bomba
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur rreth alarmit për bombë i cili ishte sinjalizuar pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Para mediave, ai fillimisht ka falënderuar policinë për reagim, por ka thënë se alarmet e rrejshme janë mendësi e atyre që Kosova i njeh shumë mirë.
“Nuk mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe me bomba edhe pa bomba”.
“E dinë kush janë, a folin me theks sllav a krahinor të Kosovës, nuk ka rëndësi, me rëndësi që krimi nuk ka etni. Ata që janë bashkërenduar për interesa politike me rënduar Kosovën e me dëmtuar, janë pa etni, janë armiku më i madh i Republikës sonë”, ka thënë Haziri.
Po ashtu deputeti i LDK-së, ka thënë se cinizmi dhe ironia e kanë rënduar dhe e kanë bërë më nevrike prezencën e tyre në seanca.
“Cinizmi ka rënduar situatën, t’i kthehemi normalitetit. Ata që e fusin në opsion shpërndarjen e kuvendit dhe dënimin e deputetëve, mund t’ju them lirisht që shtynë në funksion shantazhin politike, marrëveshja bëhet me mirëbesim, vendoset një rrugë e cila ka frymë kushtetues. Në Kosova nuk ka fitues të mëdhenj, ka fitues të parë, fitues me të drejtë që të ulet dhe të punojë me njerëz, të gjejë rrugë, por këto nuk po i shohim ende. Shpërndarja e kuvendit vjen kur dështon kuvendi me zgjedh qeverinë, jo kur dështon me e konstituuar vetveten, është problem i partisë së parë”, ka thënë Haziri.