Haziri: Koalicioni LV-LDK, çështje ditësh

26 janar 2020 | 15:46

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosjen është çështje ditësh.

Ai ka bërë me dije se të dy partitë janë në konsultime të brendshme për koalicionin qeverisës.

Sipas tij, liderët e të dy partive mund të takohen në momentin kur vlerësojnë se është harxhuar nevoja e konsultimeve të brendshme. “Mendoj se është çështje ditësh. Nuk kemi të bëjmë më me pritje më të mëdha. Kemi të bëjmë më shumë me vlerësime të brendshme. Edhe LDK-ja është me vlerësime të brendshme. Çdo ditë punon dhe angazhohet për këtë zgjidhje. Edhe Vetëvendosja është në konsultimet e saja të brendshme me struktura. Takimet mund të ndodhin në momentin kur liderët vlerësojnë se është harxhuar nevoja e konsultimeve të brendshme dhe ka nevojë të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+, që unë e shoh një mandat më shumë sesa ky që po punojmë tash me një mirëbesim, sepse mirëbesimi duhet të ndërtohet dhe të ruhet gjatë qeverisjes”, ka thënë Haziri, në një intervistë për “Express”, duke shtuar se do të jetë një ndarje balancuar e pushtetit në mes të dy partive.

“Një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me LV-në udhëheqëse të Qeverisë e LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit. Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re”, ka thënë Haziri

Ai nuk ka treguar se ku është mbajtur takimi i fundit në mes liderëve të dy partive. “Nuk mund të flas për vendin dhe mënyrën se si liderët komunikojnë. Por, takimi i fundit ka qenë i formatit ekipor. Në dy ekipet është biseduar detajisht për çdo pjesë të realizimit të kësaj marrëveshjeje. Ne e kemi arsyetuar dhe mbështet qëndrimin tonë në funksion të implementimit të programit qeverisës të agjendës shtetërore dhe kombëtare nesër që ndarja e drejtë dhe parimore e pushtetit do ta ndihmojë z. Kurti në zbatimin e programit qeverisës më shumë se kampet e partive politike”, ka deklaruar Haziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët Daut Haradinaj dhe Time Kadrijaj janë duke qëndruar në…