Haziri: Na duhet përkrahje në formë plebishitare për rikthimin e madh të LDK-së
Nënkryetari i LDK-së, kandidat për deputet me numër 5, Lutfi Haziri, ka kërkuar përkrahje nga qytetarët që më 8 dhjetor LDK-ja të rikthehet fuqishëm.
“Besimin tuaj, do t’ua kthejmë me punë të hajrit e dashni për Gjilanin dhe Anamoravën! Të dashur qytetarë, Sot më shumë se kurrë, kërkoj që t’i bashkangjiteni thirrjes sonë të madhe për ndryshimin e kësaj gjendjeje në Gjilan, Anamoravë e në Kosovë. Na jepni mbështetje, na jepni zemër dhe ne do të kujdesemi për projektet zhvillimore të kësaj pjesë të juglindjes, veçanërisht për përfundimin sa më të shpejt të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, që qeveria e në largim e shndërroi në autolloç. Na duhet përkrahje në formë plebishitare për rikthimin e madh të LDK-së e për kthimin e kujdesit për Gjilanin dhe Anamoravën në Kuvendin e Republikës”.
“Prandaj, u kërkoj me sinqeritetin më të madh grave e burrave, të rinjve e të rejave, arsimtarëve, mjekëve, inxhinierëve, sportistëve, njerëzve të kulturës, bujqve, fermerëve e prodhuesve, që t’i bashkangjiteni kauzës sonë për t’ia kthyer dinjitetin qytetit të kryengritësve më të mëdhenj për lirinë e shqiptarëve. Lista jonë në Gjilan është lista më përfaqësuese, është listë me të cilën ju do të krenoheni që i keni dhënë besimin për t’i artikuluar në mënyrën më të mirë kërkesat tuaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Besimin tuaj, do t’ua kthejmë veç me dashni e punë të hajrit për Gjilanin! Zgjedhni shpresën. Zgjedhni LDK-në!”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.



