
Haziri: Partia e parë po e kultivon parimin “sa më keq, aq më mirë kundër Republikës”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual, duke e akuzuar se po kultivon qëllimisht kaosin për të përfituar politikisht në dëm të Republikës së Kosovës.
“Partia e parë po e kultivon parimin ‘sa më keq, aq më mirë kundër Republikës’”, tha Haziri, duke theksuar se LDK-ja mbetet gardiane e vlerave të shtetësisë dhe bashkimit në dallime – ashtu siç e kishte paraparë themeluesi i saj, Ibrahim Rugova.
Haziri akuzoi udhëheqësit aktual se po fshihen nga përgjegjësia dhe nuk e duan një shtet funksional që mbështetet në Kushtetutë.
“Ata mund ta udhëheqin partinë e tyre në këtë formë, por jo Republikën,” tha ai.
Ai përfundoi se rruga e vetme për të rikthyer besimin në Republikë është ajo kushtetuese dhe përmes marrëdhënieve në mirëbesim. “Parimet tona për ta ruajtur këtë Republikë janë të shenjta,” përmbylli Haziri.