Haziri: Shpërndarja e Kuvendit vjen kur Kuvendi dështon ta zgjedhë qeverinë, jo kur dështon ta konstituojë vetveten

07 korrik 2025 | 11:51

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri e ka ndërlidhur opsionin e shpërndarjes së Kuvendit me “shantazh politik”.

Ai ka thënë se nuk po shihet ndonjë përpjekje nga Lëvizja Vetëvendosje që ta gjejë një marrëveshje politike.

“S’ka të bëjë me ftesa të tilla. Cinizmi, ironia, e kanë rënduar dhe e kanë bërë më neverike ardhjen tonë çdo 48 orë”, ka thënë ai, duke komentuar një thirrje të deputetit të LV-së, Mefail Bajqinovci për koalicion.

“T’i kthehemi realitetit”, ka thënë Haziri, duke theksuar se “ata që e shtijnë në opsion shpërndarjen e Kuvendit, ata që e shtijnë në opsion dënimin e deputetëve, mund t’ju them lirisht që e shtyjnë në funksion shantazhin politik”.

“Marrëveshja politike bëhet me mirëbesim. Vendoset një rrugë të cilën fryma kushtetuese e kërkon”, ka thënë ai.

Haziri ka theksuar se “në Kosovë nuk ka fitues të mëdhenj”.

“Ka fitues me të drejtë të fituar që të ulet dhe të punojë me njerëz, me partitë politike, me deputetë – të gjejë rrugë. Por këto nuk po i shohim ende, nuk po i shohim në asnjë situatë”, ka thënë ai.

Më tutje, Haziri ka thënë se shpërndarja “vjen kur dështon Kuvendi ta zgjedhë qeverinë, jo kur dështon ta konstituojë vetveten, sepse ky është problem i partisë së parë”.

“Nuk është problem as i individit, as i deputetit, por është bukfalisht çështje që i kërkohet partisë së parë që ta gjejë një formë për ta ndërtuar një marrëveshje politike”, ka thënë Haziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Peci, ka vlerësuar deklarimin e Bekë…