Haziri: Unë dhe shtabi i emergjencave jemi vaksinuar me “AstraZeneca”

09 korrik 2021 | 12:10

Komuna e Gjilanit ka ftuar shërbyesit civilë, zyrtarët publikë dhe punëtorët e arsimit që aplikojnë për vaksinim kundër Covidit përmes platformës “e-Kosova” apo në mënyrë të organizuar përmes Qendrës së vaksinimit, e cila gjendet në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, në Gjilan.

Kjo komunë ka bërë me dije se ka angazhuar 15 ekipe për procesin e vaksinimit, i cili është duke ndodhur sipas rregullave për ta parandaluar fluksin.

“Deri tani në Gjilan janë vaksinuar mbi 12 mijë qytetarë, ose afro 15 për qind e qytetarëve. Ndryshe, termine për vaksinim përmes platformës ‘e-Kosova’ mund të caktojë edhe kategoria e qytetarëve e moshës mbi 40-vjeçare”, ka njoftuar Komuna e Gjilanit.

Ndërsa kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen, si e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga ky virus. Haziri ka bërë me dije ai dhe anëtarët e shtabit të emergjencave janë të parët që janë vaksinuar me “AstraZeneca”.

“Unë dhe anëtarët e komitetit, jemi të parët që jemi vaksinuar me ‘AstraZeneca’. Është vaksinë e sigurt dhe mos iu besoni teorive konspirative. Deri tani mbi 12 mijë gjilanas janë vaksinuar dhe i ftoj edhe të tjerët që të aplikojnë dhe të shkojnë për ta marrë vaksinën. Është e vetmja mënyrë për t’u mbrojur nga ky virus”, ka thënë Haziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka bërë me…