Hektor Beqiri, njeriu që nuk e la Hagën të qetë
Atdhetar e veprimtar dhe afarist e bamirës. Një emër që për vite me radhë është sinonim i përkushtimit dhe besnikërisë ndaj bashkëluftëtarëve dhe vlerave të luftës çlirimtare. Ky është Hektor Beqiri, njeriu që mbi 500 herë mori rrugën drejt Hagës nga Gjermania, për të takuar bashkëluftëtarët dhe krerët e UÇK-së që po përballeshin me drejtësinë ndërkombëtare, dhe për të ndjekur seancat gjyqësore ndaj tyre.
Prej më shumë se pesë vitesh, ai ishte i pranishëm pothuajse në çdo seancë gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai vizitoi rregullisht Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe tjerët, duke u qëndruar pranë në ditët më të vështira të tyre.
Por angazhimi i tij nuk mbaronte me kaq. Në shtëpinë e tij në Dyseldorf të Gjermanisë, ku jeton dhe vepron, Hektori priste e përcillte miq, shokë, bashkëveprimtarë e dashamirë që merrnin rrugën drejt Hagës. Shumë prej tyre i ndihmonte me transport, akomodim, ushqim, pa bujë dhe pa kërkuar asnjëherë mirënjohje publike. Nuk e bënte nga ndonjë obligim, as nga ndonjë interes, por kishte interes kombëtar. E bënte nga zemra, nga bindja dhe nga mundësitë që kishte.
Kudo që organizoheshin protesta në mbrojtje të vlerave të luftës – në Hagë, Bruksel, Francë, Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, Hektor Beqiri jo vetëm që ishte aty, por ishte organizatori kryesor. Para objektit të paraburgimit në Hagë, në dhomat e vizitave, para sallave të gjykimit – prania e tij ishte e përhershme. Në hotelin ku qëndronte sa herë shkonte në Hagë, stafi tashmë e njihte si një mysafir të përhershëm; dinin çfarë pinte e çfarë hante. Madje, ditët e fundit, menaxherët e hotelit i kishin thënë se do t’u mungonte dhe se ishte gjithmonë i mirëpritur kurdoherë që do të rikthehej në atë qytet. Hektori në këtë hotel ka qëndruar edhe gjatë kohës ku në Hagë mbaheshin bashkëluftëtarët e Fatmir Limajt dhe ata të Ramush Haradinajt.
Shtysë për këtë shkrim nga “Epoka e re”, u bë një mesazh i tij i datës 18 shkurt, ditën kur përfunduan ekspozetë e tyre liderët e UÇK-së. Pas afro gjashtë vitesh përkushtim dhe qindra vizitash, ai shkroi:
“Pas gati gjashtë vitesh nga fillimi i këtij procesi dhe qindra vizitash, sot dola nga ky objekt me më shumë optimizëm dhe i bindur në triumfin e pafajësisë. Katër burrat e mëdhenj të kombit po u kthehen familjeve dhe shtetit të tyre, për të cilin ishin të gatshëm deri në vetëflijim.”
Këto fjalë përmbledhin më së miri shpirtin e tij: besimin, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e palëkundur.
Respekt për Hektor Beqirin, për njeriun që gjithë kohen ishte i përkushtuar për UÇK-në, e që nuk e la Hagën të qetë me vizita të përhershme, dhe që për vite me radhë dëshmoi, qëndrueshmeri, besim në vlerat e luftës, në pafajësinë e tyre dhe dëshmoi se solidariteti nuk është vetëm fjalë, por veprim dhe vlerë njerëzore./s.z/.



