Hendbollistët e Prishtinës mposhten thellë nga Zaporozhye

13 tetor 2018 | 22:41

Hendbollistëve të Prishtinës, të udhëhequr nga trajneri Taib Kabashi, nuk iu ndihmoi as atmosfera e “Plisave”, në ndeshjen e parë të rundit të dytë, në Challenge Cup, në “Pallatin e Sporteve” në Prishtinë.

Nënkampionia e Kosovës, Prishtina, u mposht bindshëm nga nënkampionia e Ukrainës, Zaporozhye, 32:19, raporton KTV.

Që nga fillimi, skuadra ukrainase ishte dominuese dhe posa e shënoi golin e parë me Taras Minotskyin, nuk e ktheu më kokën prapa, duke qenë në avantazh deri në fund. “Bardhekaltrit” e Prishtinës, nga ana tjetër, nuk e patën forcën dhe përvojën e duhur për t’u kundërvënë, përveç kur u barazuan shifrat në fillim të ndeshjes 2:2, me dy golat e shënuar nga Oltion Beshiri.

Pjesa e parë përfundoi 17:10, në të mirë të vendësve, ukrainasve, që në këtë ndeshje ishin nikoqir, pasi edhe dueli i kthimit luhet në Prishtinë.

Epërsia më e lartë e skuadrës Zaporozhye, pas 30 minutash ishte 8 pikë, në rezultatin 15:7.

Fillim i furishëm i ukrainasve ishte edhe pas pushimit, duke e lënë Prishtinën me vetëm dy pikë të shënuara në 10 minutat e parë të kësaj pjesëloje.

Kryeqytetasit, deri në gjysmëorën e dytë, shënuan vetëm 9 gola dhe kjo falë gabimeve në përfundimin e aksioneve, ku shpeshherë u gjendën në pozita ballore me portierin kundërshtar Rudolf Borodai, që ishte në superformë.

Hendbollistët e kundërshtarëve ndërkohë realizuan thuajse në çdo aksion në portën e gardianit Mërgim Ademi.

32:19 ishte rezultati final i kësaj përballjeje, kurse epërsia më e lartë në ndeshje ishte 15 gola, 30:15.

Te Prishtina, në këtë humbje, më të dalluarit ishin Oltion Beshiri dhe Labinot Gubetini, me nga 4 gola secili. Nga ukrainasit, më efektivët ishin Eduard Kravchenko dhe Ievgen Zhuk me nga 8 gola, kurse ndihmë të madhe dha edhe Vladyslav Paraovinchak me 5 sosh.

Ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të dielën në ora 14:00, po në “Pallatin e Sporteve” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Melania Trump i hodhi poshtë spekulimet mbi situatën e rënduar…