Hendbollistet e reja i luajnë dy ndeshjet e para në Kampionatin Mesdhetar

19 prill 2022 | 15:45

Përfaqësuesja U16 e Kosovës në hendboll (vajzat) i ka luajtur të hënën dy ndeshjet e para në Kampionatin Mesdhetar që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

Ndeshjen e parë hendbollistet tona e kishin nga ora 9:00, ndërsa u përballën me Malin e Zi. Vendaset fituan me rezultatin 33:10. Vajzat tona nuk filluan lojën në mënyrën e duhur. Nga mungesa e përvojës në këtë rang garash dhe trema, kanë bërë gabime të shumta. Por loja e Kombëtares sonë është përmirësuar me kalimin e minutave. Ka ndikuar edhe referimi jo në nivel. Vajzat tona janë përjashtuar plot 22 minuta.

Pasdite, prej orës 16:00, Kosova U16 e luajti edhe ndeshjen e dytë. Përballë ishte Kombëtarja cilësore e Rumanisë. Rumunet fituan me shifrat 27:16, por në shumë periudha lojtaret tona ishin plotësisht të barabarta me rivalet. Ka pasur gola të bukur, goditje nga distanca e shumë elemente pozitive, që japin shpresë për ndeshjet e ardhshme. Në rezultat kanë kushtuar gabimet teknike, por një pjesë e vajzave kanë dëshmuar se kanë potencial të madh dhe se mund të llogaritet në to për të ardhmen.

Të martën prej orës 12:00, Kosova luan me Spanjën. Do të jetë një tjetër ndeshje sfiduese për vajzat tona. Më pas janë ndeshjet për plasman. Përvoja në këtë garë të nivelit të lartë do të jetë me vlerë të madhe për hendbollistet tona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…