Henry: Fanella e Real Madridit i shndërron lojtarët në një fuqi të futbollit
12 mars 2026
| 15:45
Legjenda franceze Thierry Henry, ka komentuar fitoren e Real Madrid ndaj Manchester City, duke theksuar se klubi madrilen ka një efekt të veçantë tek lojtarët që veshin fanellën e tij.
Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe i Barcelonës, ka thënë se çdo futbollist duket sikur transformohet sapo bëhet pjesë e klubit madrilen.
Sipas tij, historia dhe pesha e fanellës së bardhë i kthen lojtarët në një forcë të vërtetë në fushë.
“Nuk e di çfarë vendosin në fanellën e Real Madridit. Kur lojtarët e veshin atë, duket sikur shndërrohen në diçka tjetër”, ka thënë Henry, duke theksuar mentalitetin fitues dhe besimin që karakterizon skuadrën spanjolle.
Sipas francezit, kjo është arsyeja pse Reali vazhdon të jetë kaq i rrezikshëm në ndeshjet e mëdha, sidomos në UEFA Champions League, ku shpesh arrin të përmbysë situata të vështira dhe të tregojë karakterin e një klubi me histori të jashtëzakonshme.



