Hera e fundit që marr pjesë në Panairin e Librit në Prishtinë
Panairi i Librit në Prishtinë ka përfunduar dje. Në edicionin e sivjetmë munguan rreth 40 botues nga Kosova dhe Shqipëria që kishin marrë pjesë në vitin e kaluar. Pati mungesë të madhe edhe të vizitorëve. Shumica e botuesve pjesëmarrës kanë shprehur pakënaqësi me organizimin, interesimin dhe sjelljet e pahijshme që, sipas tyre, kanë bërë organizatorët ndaj botuesve.
Shkrimtari Remi Ilir Kushi ka shprehur shumë pakënaqësi në një reagim në llogarinë personale në “Facebook”:
Remi Ilir Kushi
Dy fjalë për Panairin e Librit Prishtina 2026:
Turp Kosovë!
Për mua, kjo ishte hera e parë dhe njëkohësisht e fundit që marr pjesë në këtë panair. Ajo që përjetova nuk kishte të bënte me kulturën, librin apo respektin ndaj autorit, por me arrogancën, hipokrizinë dhe standardet e dyfishta që, fatkeqësisht, duket se kanë zënë vend në organizimin e këtij aktiviteti.
Kam ardhur në Prishtinë me dëshirën për të dhënë kontributin tim modest si shkrimtar, jo për të bërë tregti. Që në fillim i kisha njoftuar organizatorët se pagesën për stendën do ta kryeja të dielën pasdite, para mbylljes së panairit. Megjithatë, sot u përballa me një ultimatum të papranueshëm: ose të paguaja menjëherë 180 euro, ose do të thirreshin policia dhe sigurimi për të më larguar me forcë.
Ky nuk është komunikim normal me një autor. Ky është presion, poshtërim dhe mungesë respekti elementar.
Ironia më e madhe është se në skenë flitet për kulturë, letërsi dhe vlera kombëtare, ndërsa prapa kuintave autorët trajtohen si barrë dhe jo si njerëzit që i japin kuptim vetë panairit. Panairi nuk ekziston për shkak të organizatorëve; ai ekziston falë librave, autorëve dhe lexuesve.
Më vjen keq ta them, por arti dhe letërsia në Kosovë po rrëshqasin gjithnjë e më shumë drejt logjikës së biznesit dhe interesit të ngushtë. Kur imazhi dhe propaganda vlejnë më shumë se respekti për krijuesin, atëherë kemi humbur thelbin e asaj që pretendojmë se përfaqësojmë.
Nuk ndihem i fyer për veten time. Ndihem i zhgënjyer për nivelin ku është katandisur trajtimi i shkrimtarit në një aktivitet që pretendon të jetë festa më e madhe e librit në Kosovë.
Respekti nuk kërkohet me polici. Respekti fitohet me sjellje, profesionalizëm dhe dinjitet.
Turp për orgsnizatoret të njollosin Kosovën. Ju dhjefsha paratë.
Erdha me 500 libra të mi,200 ia dhurova rinisë Kosovare dhe pjesa tjetër u ble nga dashamires të librit. Ngelën vetem 11 libra pa shkuar te lexuesi.



