
Heroi Cole Palmer flet pas shpalljes kampion i botës me Chelsean
Heroi i Chelseat, Cole Palmer, ka qenë protagonist i “Blues” mbrëmë në finalen e Botërorit të Klubeve.
Sulmuesi anglez ka realizuar dy gola dhe asistoi në një tjetër në fitoren e thellë 3:0 ndaj Paris Saint-Germainit (PSG).
Në total, ai kontribuoi në 8 gola të londinezëve në 6 ndeshje të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe, lojtari më i mirë i këtij turneu ka folur pas ndeshjes.
“Unë ndihem mjaft mirë. Është edhe më e ëmbël kur fiton në një finale ku të gjithë dyshonin tek ne. E dinim që do të ishte një sfidë e madhe, por treguam karakter dhe fituam kundër një skuadre të madhe si PSG”, deklaroi Palmer, i cili e ka përgëzuar trajnerin dhe ekipin për paraqitjet në Botërorin e Klubeve.
“Maresca po ndërton diçka të veçantë. Trajneri e hartoi një plan të shkëlqyer të lojës. Ai e dinte ku do të ishin hapësirat dhe se si do të më lironte në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë thjesht u përpoqa t’ia ktheja me gola. E kemi një ekip të ri dhe të shkëlqyer. Shumë njerëz kanë folur keq për ne gjatë sezonit, por mendoj se jemi në rrugën e duhur”, ka përfunduar Palmer.