Heroi i kombit, Naser Veli Krasniqi-Leka

03 qershor 2025 | 23:44

Naser Veli Krasniqi lindi më 24 tetor 1972, në fshatin Ratkoc të Rahovecit. Prindërit Veli Krasniqi dhe Mihrije Xhyliqi Krasniqi, gjithësejt kishin shtatë femijë: katër djem e tri vajza, Naseri ishte femija i tretë i tyre. Deshmori Naser Krasniqi shkollën fillore e kreu në Ratkoc, ndërsa të mesmen në Rahovec dhe Prishtinë. Studimet Universitare, Fakultetin e Kulturës Fizike e la në gjysem për shkak të kyqjë së tij në luftë. Me aktivitete shoqërore atdhetare filloi të merrët qysh si ri. Naseri ishte në klasën e 5-të kur i motivuar nga familja, rrethi dhe shokët më të vjetër, e theu fotografinë e Titos (ish-kryetarit të Jugosllavisë). Vitet 1988/89 shënuan kulmin e diskriminimit politik te shqiptarët e Kosovës, kur serbo-jugosllavët suspenduan Autonominë e Kosovës.Në kontekst të këtyre ngjarjeve, Naser Krasniqi ishte njëri ndër protagonistët, protestuesit që me ditë dhe muaj nuk ndaloi së vepruari në demonstrimin, politik, organizativ dhe fizik. Në demonstratat popullore që u organizuan në Ratkoc, fshatrat përreth, në qytetin e Rahovecit, dhe në tërë Kosovën, Naseri ishte pjesa më skenografike e demonstratave, duke qenë në ballë të tyre, i mbuluar gjoks e shpinë me flamurin tonë kombëtar shqiptar e me plisin e bardhë mbi vetull, ku pushtuesve serbë i bie në sy veprimi i tij dhe që nga ajo kohë vazhdimisht kërkohej nga policia. Në vend që të niste studimet në fakultet, ai u detyrua ta linte Kosovën dhe përkohësisht të shkonte në Gjermani. Me t’u vendosur atje, vë kontakte me shumë shokë e miq që vepronin për çështjen kombëtare. Kjo formë e bashkëpunimit i ndihmoi atij që ta ruante vazhdimësinë  dhe të kthehej prapë në Kosovë për ta vazhduar përgatitjen për luftë.

Pas kthimit të tij në atdhe, në shtator të vitit 1996, veprimtarinë patriotike do ta vazhdonte fillimisht në vendlindje, në Ratkoc, përmes organizatës ilegale të quajtur Lëvizja Kombëtare për Çirimin e Kosovës (LKÇK). Naseri në cilësinë e ilegalistit të organizuar, aktivitetin e tij e filloi menjëherë me shpërndarjen e fletushkës “Çlirimi”, organ propagandistik i LKÇK-së, e pastaj edhe me aktivitete të tjera ilegale. Disa ndër to janë; agjitimin dhe propagandimin e luftës clirimtare, vezhgimi i levizjeve të forcave policore dhe veprimeve të kolaboracionisteve, transportimin dhe sistemimin e mërgimtarëve vullnetarë të ardhur nga perëndimi në luftën e Kosovës, bartjën e armatimit dhe municionëve, medikamenteve mjeksore dhe gjërave të tjera në përgjithësi që nevoitëshin për luftë, etj.

Gjatë viteve 1997-98, ekskluzivisht veproi edhe në Prishtinë. Aktiviteti i tij në kryeqytet, sidomos tek qarqet studentore, do ta identifikonte portretin e tij si djaloshi misterioz i natës. Ai, në cilësinë e studentit të UP-së të Fakultetit të Kulturës Fizike, do të banojë në një banesë me qira, në lagjen Vellusha, prej nga do të frekuentonte, kordinonte dhe do të vepronte me aktivitetet ilegale me shumë student atdhedashës nga të katër anët e Kosovës.Më 1 tetor të vitit 1997, Naseri ishte pjesëmarrës aktiv i protestave që u zhvilluan në Prishtinë, përkatësisht tek vendi i quajtur “Velania”. Në këto rrethana, Naseri së bashku me shokët e tjerë të fakultetit, u dalluan me veprimet e tyre të shpejta, në ndihmë të studentëve, duke u ndihmuar në strehimin e tyre nëpër shtëpitë private,etj.

Naseri, pas një veprimtarie të bujshme nën petkun e studentit të UP-së, e braktis qytetin e studentit, Prishtinën dhe kthehet në Anadrini, përkatësisht në fshatin e tij të lindjes, Ratkoc, për të filluar veprimtarinë luftarake.Gjatë pjesës së dytë të vitit 1997 dhe fillimvitit 1998, Naseri së bashku me shokë, filluan bartjen masive të armatimit përmes kufirit Kosovë-Shqipëri. Më datën 27 prill 1998, Naseri së bashku me grupin që përbëhej prej 12 pjesëtarëve të armatosur të LKÇK-së, iu bashkuan Shtabit të UÇK-së, në Drenoc, duke u ardhur në ndihmë, dhe prej këtij momenti Naseri veproi publikisht.Me shkuarjen e tij në Drenoc, vendoset në pikën më të lartë malore, në majën e Zatriqit, pasi konsiderohej si pika më strategjike për luftime. Qëndrimi i tij atje u përshkua me një sërë veprimesh, duke u organizuar, ushtruar dhe duke bërë roje nëpër pozicionet e UÇK-së. Në këto pika, Naseri veproi për rreth 15 ditë, derisa më datën 11 maj 1998. Më datën 12 maj, Naseri do të marrë pjesë aktive në luftë ballë për ballë me forcat serbe. Në këtë betejë, pas 10 orë luftimesh të ashpra, ai do të shquhej me guximin dhe trimërinë e tij duke luftuar, nga një pikë në tjetrën, nga një pozicion në tjetrin. Në këto përballje, do të shquhet luftëtari sypatrembur, i cili me guxim nxitoi aty ku kërkohej vetëmohimi dhe trimëria, gjithnjë shembull për bashkëluftëtarët. Naserin shumë e tërhiqte uniforma e luftës së UÇK-së dhe shpesh theksonte se uniforma e krijon imazhin e mirë për ushtrinë tonë dhe realisht ishte ndër të parët në rajonin e Anadrinisë që e siguroi dhe e veshi atë, që në fillim të luftës.Ai ishte protagonisti kryesor i formimit të Njësisë Speciale të UÇK-së që vepronte në Ratkoc. Në këtë njësi bënin pjesë djemtë më të mirë të kësaj ane, të cilet ishin të gatshëm të vepronin në çdo çast, aty ku e kërkonte nevoja. Ai për herë të parë e vendosi flamurin kombëtar në stacionin e policisë, që tashmë ishte shndërruar në shtab të UÇK-së. Naseri me shokë, me të dëgjuar për luftimet që kishin filluar në Gradish, pa medyshje e ndërpreu gjumin dhe ashtu siq e kishte bërë shprehi lufte të flente me uniformë, u ngrit në këmbë dhe ia mësyu Gradishit. Dhe prej këtij momenti, përgjatë 12 orëve luftime qëndroi aktiv nëpër pozicionet e UÇK-së.Naseri edhe në këto luftime u dallua prej të tjerëve, me guxim të lartë dhe zhdërvjelltësi luftarake, nën betimin e dhënë për ”Liri a Vdekje”. Naserin, deri në aktin e rënies, do ta shohim kudo nëpër aksione e fushëbeteja luftarake, si në Drenoc, Bratotin, Ratkoc, Zatriq, Vranjak, Dejë, Malësi e Vogël, Gradish, etj. Çdo ditë e Naserit ishte përpjekje për të ecur pa hamendje përpara drejt luftës çlirimtare.  Naser Krasniqi i njohur me pseudonimin Leka, duke qenë në krye të detyrës si çdoherë, në mbrëmjen e 4 qershorit të vitit 1998, saktësisht në orë 21 e 26 minuta të mbrëmjes, kur filloi një ofensivë e madhe altilerike serbe e kombinuar me shumë forma lufte, pikërisht aty edhe ku lindi, në Ratkoc (Drinas), në përballje me forcat serbe, bie heroikisht, duke mbrojtur popullin, dinjitetin kombëtar dhe lirinë e atdheut të vet. Vet Naser thoshte: “Në çdo kohë, të luftosh dhe të vdesësh për lirinë e atdheut, ia vlen dhe është modesti.Naseri, u vorros në vorrezat e fshatit Ratkoc me 5 qershor 1998.Pasë përfundimit të luftës, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për vepren e tij atdhetare, iu akorduan shumë mirënjohje dhe dekorata, që nga diploma “student martir” që ia dhuroi Universiteti i Prishtinës, e deri te akordimi me urdherin Hero i Kosoves, i ndarë nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

Autor i tekstit; Sadik Krasniqi, vëllau i dëshmorit të kombit Naser Krasniqi

Ratkoc, 4 qershor 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ë mërkurën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell dhe…