Heshtja dhe kokulja nuk kanë më kuptim, kujtesë me kast në ditën e Çamërisë

27 qershor 2020 | 13:22

Denion Ndrenika

Ibrahim Rugova, pati thënë një shprehje që po e përmend me përafërsi, pa dashur assesi që ta ndryshoj thelbin dhe qëllimin, që shqiptarët kanë bërë kompromis duke mos u bashkuar Kosova me Shqipërinë, me pritshmëri të Kosovës së pavarur.
Pavarësisht dallimeve të rrjedhura nga pushtimi genocidial serb i viseve të Shqipërisë që mbetën dhunshëm jashtë shtetit që nisi formësimin në Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u vendos në Kuvendin e Vlorës, populli shiqptar dhe pjesët e tij të ndara mbeten një dhe të pandryshuar në qëllimin e këtyre dy akteve madhorë të kombit të shprehur në vullnetplotni, pra shtetin e vetëm tonin.
Rrjedhat e historisë na shtynë të ecim ndarazi pa dëshirë dhe absolutisht shpirtërisht të bashkuar.
Mirëpo, dhunimi i çlirimit të Shqipërisë Verilindore, pra Kosovës, me akuza të ulëta të kohëpaskohëshme dhe askund të vërtetuara sado qoftë pjesërisht, natyrisht që duhet ta ndryshojnë heshtjen dhe kokuljen tonë në emër të qetësisë dhe paqes, ndonëse e kemi bërë kurdoherë edhe me vendimet e pandalshme kundër shqiptarëve në Shën Stefan, Berlin, Londër, Versajë, Lozanë, Firence, Jaltë, Potsdam e deri te Rambujeja, Kai Aide dhe Marti Ahtisari.

Nuk kam ndër mend të justifikoj sjelljen e udhëheqësive tona politike, veçanërisht poshtëruese të Shqipërisë që kur pranoi të dorëzojë në Lidhjen e Kombeve kufijtë shkatërrues të Londrës.
Por, kam ndër mend të shkruaj të vetmin qëndrim të pandrueshëm që kam, për çështje të re sot e të vjetër ndër vite, të përuljes dhe heshtjes tonë tash kur Gjykata Speciale thirri Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
As që më intereson, se cilët janë këta personazhe, andaj nuk ua vendosa titullimet përbri emrave, por më intereson pozita që kanë mbajtur në luftën për çlirimin e viseve të Shqipërisë me betimin e Ushtrisë tonë të Kosovës për bashkim.
Natyrisht që njera rrugë, ajo e presifdentit Rugoiva, ishte ajo që ai vetë e tha për kompromisin.
Rruga e ecur ishte e ndarjes me shtet të ri të trojeve të Shqipërisë anipse kurrkush nuk ka hedhur poshtë me vullnet të plotë dhe të plotë Lidhjen Shqiptare të 1878 dhe Pavarësinë e 1912, pra që ta justifikojnë këtë rrugë të re.
Megjithatë ne shqiptarët pranuam.
Mirëpo, rruga deri më tash se me dy shtete qetësojmë dynjanë zhurmëkotë për sajesën e pavend në jetë të jetëve për një Shqipëri të Madhe, me akuzat e Gjykatës Speciale po dëshmohet se është thuajse e gabuar.
Në fakt, jo veç me këto, por me tërë sjelljen kryekëput europiane dhe sllavofrikanake përballë Rusisë, ka dëshmuar se kompromisi ynë, heshtja dhe kokulja jonë, nuk kanë shërbyer. Jo vetëm nuk na kanë respektuar, por na vijojnë përbuzjen.
Pa shihni, kujtoni mirë se Europa i ka hapur dyert sllavëve, serbë, malaezëzëve dhe maqedonasve, kur të parët kategorikisht nuk pranojnë se përjetë masakrojnë fqinjët dhe asnjë bashkëpunim për Krimet e Luftës, të katër luftërave që ndezën në Ballkan në vitet ‘90, gjë e kanë bërë parreshtur që kurse u dyndën në viset ilire, duke u dhënë Marrëveshjen për Stabilizim-Asoçiim, lehtëismin e regjimit të vizave, statusin “kandidat” dhe negociatat për antarësim në BE, përkundër Shqipërisë dhe krahinës së saj jashtëzakonisht madhore dhe vendimtare në shtetin e Vlorës, Kosovës.
Tash duhet me iu përgjigj me zgjedhjen që lamë heshturazi kundër vetes dhe lehazi asaj dynjaje dhe çapaçulëve që mbështesin ecjen ndarazi.
Kur sheh se asgjë nuk e ndryshoi sjelljen e Europës ligësimadhe sigurisht edhe me çka na bën Haga, besoj se çapaçulët kanë rast të këndellen e të bëhen syhapur se të jemi bashkë nuk është armiqësi, madje duke ua përbuzur idiotësitë për gjuhë, simbole apo “kosovarizma” ofendues për mbarë shqiptarinë.
Nuk ka lidhje Hashimi apo Kadria dhe as tërë aradha jonë e dërguar orë e çast me poshtërsi europiane nëpër gjyqe që dështuan.
Ka lidhje se ulëm kokën duke pranuar çdo gjë dhe madje duke i dhënë një tufe çapaçulësh të pafajshëm naivë të idesë liganake, se ndarazi ne bashkohemi.
Me kast e vendosa sot këtë shkrim sepse është pandarazi me krejt Shqipërinë që ka ditën e zezë të genocidit grek në krahinën jugore të Çamërisë, njohur nga Kuvendi i Shqipërisë ky 27 Qershor 1944 kur Paramithia u bë vatër e 660 viktimave dhe përfundoi me sa e sa të tjera viktima dhe shfarosjen e më shumë se 40 mijë çamëve tanë.
Këtu nuk po përfshi fare dhjetëramijëra të tjerë të shkatërruar, vrarë, masakruar, pre e genocidit në vitet 1920-1930 dhe të pushtimit të Artës nga kriminelët grekë në 1876 e tutje.
Pra nuk e ndaj dot çapaçulazi verilindjen, jugun, veriun, lindjen nga Shqipëria.
Jam shum i lumtur që do ta lexojnë me inat dhe mllef këtë postim meqënëse sipas kundërshtarëve shtetdashës të një pjese të Shqipërisë, bën të duket se unë prirem që Shqipëria të jetë paternaliste.

Nuk është paternalizëm kujtesa se çfarë dhe e kujt është Kosova dhe Çamëria, Malësia nën pushtimin malazez dhe lindja e nëpërkëmbur prej maqedonasve, verlindja e Epërme prej Nishit e Preshevës me tërë Luginën dhe Vranjën e teposhtë.
Pra, lumturohem që do ta lexojnë mllefplotë se sepse kjo tregon se ata që shqetësohen thjesht janë çapaçulët.
Te këta hyjnë frikanakët lëpirës të Shqipërisë që vret veten duke pranuar kufijtë e Londrës.
Ata nuk e zhbëjnë dot faktin e akteve madhorë të pashfuqizuar kombëtarë se Shqipëria nis e mbaron në Prizren dhe Vlorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e anketës…