Heterofonia e Opojës – traditë këndimi në zhdukje

26 shtator 2025 | 14:42

Demir Reshiti

Në numrin më të ri (54) të revistës Gjurmime albanologjike – Folklor dhe etnologji (botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës), është publikuar një Punim studimor kushtuar Heterofonisë së Opojës, që ka për autor Visar Munishin, kompozitor dhe profesor në UP.

Autori në këtë punim fokusohet te heterofonia e trevës së Opojës, e përkufizuar si një mënyrë këndimi ku gratë/vajzat fillimisht këndojnë në unison, por në disa momente, një nga zërat largohet përkohësisht, duke krijuar një strukturë të përkohshme me dy zëra, përpara rikthimit në unison. Sipas autorit, ky fenomen është element i veçantë i muzikës tradicionale të trevës së Opojës.

Megjithëse, studimet e fundit në terren tregojnë se heterofonia në këndimin e grave dhe vajzave të Opojës nuk e ka më prezencën siç e kishte dikur, gratë e moshuara ende e ruajnë aftësinë dhe traditën e këndimit heterofonik, ndërsa brezat më të rinj, megjithëse të apasionuar pas këngëve popullore të zonës, po kalojnë drejt këndimit tërësisht në unsion – konstaton autori, duke shtuar se ky ndryshim shënon një transformim të rëndësishëm në mënyrën e të kënduarit dhe reflekton faktorë të ndryshëm socialë, kulturorë dhe demografikë.

Munishi në këtë punim shqyrton transformimin në fjalë dhe adreson faktorët që po ndikojnë në humbjen graduale të heterofonisë. Duke përdorur qasje etnomuzikologjike dhe duke u bazuar në të dhëna të mbledhura në terren, autori synon që të analizohet ky fenomen në një moment kritik për mbijetesën e tij.

Në fillim të punimit autori paraqet disa të dhëna gjeografike, historike e demografike për trevën e Opojës, e më pas shtjellon dimensionin muzikor duke nënvizuar se disa studiues shqiptarë por edhe të huaj, kanë kryer kërkime për muzikën e këtij rajoni dhe kanë përshkruar fenomenet e veçanta etnomuzikore e koreologjike të Opojës.

Sipas autorit të këtij punimi, studiuesit etnomuzikologë gjatë hulumtimit të tyre kanë hasur një fenomen muzikor që nuk gjendet në pjesët tjera të Kosovës. I pari që ka shkruar për këtë fenomen ishte kompozitori dhe etnomuzikologu Lorenc Antoni i cili kishte publikuar këtë mënyrë shumë të veçantë të të kënduarit të grave të Opojës siç është këndimi me përdorim të pjesshëm të elementeve polifonike…

Munishi thekson se krahas njoftimit me këndimin heterofonik të grave të Opojës nga shkrimet e etnomuzikologëve vendorë dhe të huaj, me këtë fenomen është njoftuar edhe gjatë punës së tij në terren dhe duke ndjekur edhe festivale të ndryshme të muzikës tradicionale në të cilat ka marrë pjesë si anëtar i jurisë apo edhe si vizitor.

Autori në këtë punim përshkruan edhe “rrugëtimin” e tij studimor gjatë realizimit të këtij punimi, duke përmendur rastin e një familjeje në fshatin Xerxe  të Opojës, anëtarët e së cilës jetojnë në disa vende (Xerxe, Beograd, Fushë Kosovë dhe Zvicër) ku i janë përshtatur stilit të jetesës së vendeve ku banojnë, por mblidhen për festa familjare, si dasma, etj., ndërkohë që përmes telefonit dhe platformave të ndryshme online zhvillojnë komunikim të rregullt me njëri-tjetrin…

Duke e ngritur shqetësimin e tij për “zhdukjen” graduale të kësaj tradite këndimi nga gratë e Opojës, autori përmend një rast të vitit 2014, kur gjatë një ekspedite në fshatin Xerxe, me ndihmën e kolegeve të tij nga Instituti Albanologjik, pati fatin të dëgjojë këndimin heterofonik që sipas tij, kjo mënyrë e të kënduarit nuk mësohet përmes praktikës edukative por është një praktikë konvencionale, e painstitucionalizuar, e cila përcillet brez pas brezi. Ndërkohë, gjithmonë sipas Munishit, situata është pak më ndryshe me vajzat që janë pjesë e shoqërive kulturore e artistike që marrin pjesë nëpër festivale folklorike dhe janë të organizuara nga persona që janë të lidhur dhe e njohin mirë traditën lokale. Madje, sipas autorit, pavarësisht sugjerimit të tij që vajzat të mësonin mënyrën heterofonike të këndimit, ato nuk kishin treguar interesim ta bëjnë një gjë të tillë, duke mbetur të kënaqura me linjën kryesore melodike. Në këtë drejtim edhe vetë drejtuesi i grupit folklorik (me gjasë është fjala për drejtuesin e Ansamblit “Bresana”, v.i.) në bisedat e herëpashershme miqësore me autorin e punimit, i ka krijuar këtij të fundit përshtypjen se ka treguar fare pak interesim për të marrë një iniciativë të tillë, pavarësisht se qëllimi i Munishit ishte që të shihte nëse mësimi i kësaj forme të këndimit ishte e mundur.

Në përfundim të këtij studimi, Munishi konstaton se një nga arsyet kryesore se pse heterofonia e Opojës ka filluar të zbehet, duhet të jetë edhe tjetërsimi i transmetimit muzikor të asaj pjese dhe krejt Kosovës në përgjithësi. Autori konstaton se nuk mjaftojnë vetëm dasmat dhe ahengjet tjera që një mënyrë këndimi të vazhdojë jetën e vet në rrjedha të natyrshme. Si fenomen tjetër të padiskutueshëm i cili ka ndikuar që heterofonia të fillojë ta humbas kontestin hapësinor, autori e përmend edhe atë të lëvizjes së popullsisë, duke konstatuar se krahas lëvizjes së popullsisë, edhe këndimi tradicional i grave të Opojës do të pësojë ndryshime dhe ky ndryshim pashmangshëm e ka prekur edhe heterofoninë.

Vlen të theksohet se punimi “Heterofonia e Opojës – traditë këndimi në zhdukje” shoqërohet edhe me disa fotografi të grupeve të vajzave të realizuara nga vetë autori si dhe me dy “QR Code” në të cilat mund të dëgjohet këndimi i grupit të vajzave të fshatit Xerxe si dhe i grupit të vajzave të Ansamblit “Bresana”.

Autorin e përgëzojmë për këtë studim me vlerë të pakontestueshme për Opojën dhe jo vetëm, duke e inkurajuar atë dhe studiues tjerë (përfshirë këtu edhe drejtuesit dhe anëtarët e grupeve folklorike të Opojës) që të angazhohen me këmbëngulje për mbrojtjen nga zhdukja të heterofonisë së Opojës!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hyri si zëvendësues, ndryshoj lojën dhe shënoj një gol. Kaq…