Hetimet për dallaveret me vota në Podujevë, jep detaje kryesuesi komunal zgjedhor
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë që të nis mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për numërimin e votave të kandidatëve në Podujevë. Kryesuesi Komunal Zgjedhor në Podujevë, Islam Demolli tha se është i gatshëm e të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, por që ende zyrtarisht nuk është njoftuar për nisjen e hetimeve.
“Lajmin për fillimin e hetimeve nga prokuroria që do të fillojë së shpejti sigurisht e kam marrë nga mediat, deri më tash nuk më ka kontaktuar askush, lidhur me keq menaxhimin e votave ne Komunën e Podujevës. Ka apo s’ka fakte nuk e dimë. Ne kemi menaxhuar me QKN-në, gjatë periudhës sa kemi qenë, sa ka funksionuar Qendrën Komunale të Numërimit nuk ka pasur asnjë ankesë as nga kandidatët, as nga subjektet politike e as nga vëzhguesit e subjekteve politike”, ka thënë ai.
Demolli tha se nuk ka pranuar asnjë ankesë gjatë procesit të numërimit, por që parregullsitë janë vërejtur pas rinumërimit. “KKZ e ka pasur për obligim që te ju bëjë kushtet ekipeve të numërimit, kushtet teknike, të ngrohjes, me tavolinat e numërimit, me vendosjen e tastierave, të televizorit për vëzhguesit. Si KKZ nuk kemi vërejtur qe k pasur ndonjë parregullsi, as nga ne, as nga subjektet politike, gjegjësisht kandidatet dhe vëzhguesit. Pas rinumërimit që është bërë, po vërehet që ka pasur një parregullsi, të cilët nuk i kemi vërejtur”, ka shtuar ai. Në Qendrën Komunale të Numërimit në Podujevë kanë qenë të angazhuar 80 numërues dhe 80 vëzhgues të katër partive. Procesi i numërimit në këtë komunë ka mbaruar më 2 janar.



