
Hetuesi i lartë i Krimeve Ekonomike arrestohet për korrupsion
Inspektorati i Policisë së Kosovës, në orët e mbrëmjes në Prishtinë ka arrestuat një zyrtar policor dhe një qytetar.
Zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka, e ka konfirmuar këtë për lajmi.net, duke thënë se zyrtari policor është arrestuar nën dyshimin për “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Inspektorati i Policisë së Kosovës sot në orët e mbrëmjes ka realizuar një operacion që ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve. Njëri nga ta është zyrtar policor dhe tjetri është qytetar. Zyrtari policor është arrestuar me dyshimin se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka treguar Beka për lajmi.net.
Tutje ai ka bërë të ditur se operacioni është duke vazhduar edhe më tutje dhe se detaje të tjera do të bëhen publike gjatë ditës së nesërme.
Në anën tjetër, në medie është duke u raportuar se personi i arrestuar nga Inspektorati Policor është Lavdim Osmani, hetues i lartë policor i Krimeve Ekonomike./Epoka e re/