
Vendoset gurthemeli për Depon Qendrore moderne të barnave
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se prej dy dekadash që kur u privatizua depoja Farmaceutike “Farmed”, Kosova nuk kishte asnjë hapësirë qendrore që i plotësonte kushtet bazë për ruajtjen e sigurt të barnave.
“Ruajtjen e barnave e gjetëm në kushte ekstreme, me lagështi e hapësira të pasigurta. Tani po fillon fazë e re me objekt të cilit do t’i shtohet edhe një aneks i ri, duke e shndërruar në Depo Qendrore me standardet më të larta për ruajtjen e barnave. Kjo ndikon direkt në cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, ka njoftuar Vitia në “Facebook”.
Objekti do të ketë depo: 1700 m² + 305 m² aneks i ri; Administratë: 519 m²; Vlera e investimit: 1,770,554.42 euro; Afati i punimeve: 180 ditë.
“Falënderime të veçanta për të gjithë punëtorët, të cilët përkundër kushteve të vështira, kanë kryer punë të jashtëzakonshme për të ruajtur cilësinë e barnave. Transformimi i shëndetësisë publike është i pandalshëm”, ka thënë Vitia.
I pranishëm në vënien e gurthemelit ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.