Hidhet poshtë ankesa e Salih Mustafës se dënimi me 15 vjet burgim ndaj tij shkel Kushtetutën

10 korrik 2025 | 14:06

Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) ka hudhur poshtë ankesën e fundit të Salih Mustafës, i cili ka pretenduar se dënimi me 15 vjet burgim ndaj tij shkel Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Mustafës, dënimi i tij prej 15 vjet për vrasje të paligjshme si krim lufte, e shkel nenin 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës dhe se ky dënim ishte joproporcional në raport me veprën penale. Më 9 korrik 2025, Gjykata konstatoi se kërkesa ishte e papranueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim, është konstatuar se Mustafa nuk ka arritur të provojë se dënimi i shqiptuar ndaj tij përbënte shkelje të të drejtave themelore. Në ankesën e tij të dorëzuar më 24 prill 2025, Mustafa kishte thënë se iu janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara sipas nenit 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës e cila përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale.

Mustafa pretendoi se Apeli kur e shpalli dënimin e ri e ka shkelur këtë dispozitë e cila ka për qëllim ta mbrojë të akuzuarin dhe se Supremja më pas nuk e korrigjoi këtë gabim, por e refuzoi kundërshtimin e mbrojtjes. Sipas tij, Supremja nuk ka përcaktuar asnjë standard sa i takon shkallës së dënimit dhe as kur një dënim mund të konsiderohet joproporcional.

Mbrojtja e Mustafës kishte thënë se Kushtetuesja duhet ta interpretojë këtë nen, përdorimin e tij dhe gjithashtu duhet të jep udhëzime të qarta lidhur me interpretimin e tij, pasi që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë. Sipas mbrojtjes, proprcionaliteti ka të bëjë me shkallën e dënimit dhe jo me dënimin në përgjithësi.

Duke e quajtur vendimin më 15 vjet burg për Mustafën si arbitrar dhe të paqëndrueshëm, mbrojtja kërkoi nga Kushtetuesja që t’i aprovohet kjo kërkesë dhe të kthejë në rigjykim çështjen në panelin përkatës.

Sipas vendimit të Kushtetueses, thuhet se Mustafa ishte ankuar në shtator të 2024-ës për shkelje të nenit 33 (2) dhe (4) të Kushtetueses dhe nenit 7 të Konentës Evopriane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut duke thënë se Paneli i Supremes kishte zbatuar gabimisht parimin lex miritor kur e ka përjashtuar Kodin Penal të RSFJ-së së viti 1976 dhe duke e identifikuar Kodin Penal të Kosovës të 2019-ës që parashihte ligjin më të butë për atë lloj vepre penale.

Neni 33 i Kushtetutës së Kosovës “Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale” pika 2 e tij thotë se “Dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës”. Pika e 4 e po këtij neni thotë se “Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të veprave për të cilat ligji i mëvonshëm i aplikueshëm është më i favorshëm për kryesin e veprës”.

Si rrjedhojë, sipas vendimit, Gjykata Supreme kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së dytë sa i përket dënimit dhe se çështja u kthye për rishqyrtim.

Vendimi për këtë ankesë ishte marrë më 17 prill 2025, ku ishte konstatuar se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Ndërsa, parashtrimi i dytë për të cilin është marrë edhe vendimi, ishte kundër vendimit konfirmues të Gjykatës Supreme ndaj vendimit të Apelit prej 15 vjet burgim ndaj Salih Mustafës, në rishqyrtim.

Sipas vendimit, Mustafa në thelb është ankuar për interpretimin dhe zbatimin e Ligjit dhe Rregulloreve nga dhomat penale.

Ata thonë se roli i Kushtetueses së Speciales nuk ka të bëjë me vendosjen nëse gjetjet e shkallëve më të ulëta janë të sakta në aspektin faktik ose juridik. Sipas tyre, gjetjet e tilla mund të vihen në pikëpyetje veç nëse janë në mënyrë flagrante dhe të dukshme arbitrare që çojnë në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë.

Dhoma thekson rëndësinë e nenit 33 (3) të Kushtetutës, i cili ndalon dënimet që janë joproporcionale me veprën penale. Kushtetuesja rikujton se dispozitat kushtetuese për të drejtat themelore duhet të interpretohen në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe me Konventën Evropiane. Megjithatë, ajo vëren se neni 7 i Konventës, që në mënyrë të përgjithshme përputhet me nenin 33 të Kushtetutës, nuk përmban një dispozitë të ngjashme me paragrafin 3 të këtij neni që trajton proporcionalitetin e dënimit.

Megjithatë sipas vendimit, proporcionaliteti i dënimit mund të vlerësohet sipas nenit 3 të Konventës, nëse dënimi është skajshëm joproporcional.

Sipas vendimit, ky është një standard, që plotësohet vetëm në raste të rralla e të jashtëzakonshme. Aty thuhet se deri tani, GjEDNj-ja nuk ka konstatuar shkelje të nenit 3 për shkak të joproporcionalitetit mes veprës dhe dënimit, por vetëm për shkaqe të tjera, siç është, për shembull, dënimi i përjetshëm pa mundësi lirimi.

Përveç kësaj, Kushtetuesja ka rikujtuar se një dispozitë kushtetuese mund të ofrojë mbrojtje më të mëdha juridike se sa Konventa dhe se neni 33 (3) i Kushtetutës së Kosovës duhet të interpretohet në mënyrë sistematike me normat e tjera të Kushtetutës. Sipas vendimit, ky nen ka të bëjë kryesisht me proporcionalitetin ligjor, pra që dënimi i parashikuar me ligj të jetë i përshtatshëm me rëndësinë e veprës penale.

Për të ilustruar këtë, Kushtetuesja përmendi dispozita të ngjashme në Kushtetutën e Qipros dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, si dhe jurisprudencën e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi parimin e proporcionalitetit.

Ndryshe, Mustafa kishte bërë edhe një ankesë tjetër në Kushtetuese për shkelje të të drejtave të tij themelore dhe kushtetuese gjatë gjykimit të tij në Themelore dhe Apel, për çka vendimi në këtë rast ishte marrë më 17 prill 2025.

Sipas vendimit, Kushtetuesja nuk ka konstatuar gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e gjykatave më të ulëta dhe rrjedhimisht ankesa e Mustafës u shpall e papranueshme.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) ka…