Në fillesë të këngës, ai është përtej kësaj magjie të zezë. Ai tashmë shfren për një pësim, për një zhgënjim që nuk mund të ndreqet më. E ka pësuar keq, aq keq sa ngjan krejt i paralizuar, nuk di ç’të bëjë, si të veprojë, ka mbetur pa fjalë e pa fuqi vepruese me atë barrë mbi shpatulla dhe atë përvojë që kurrë nuk mund ta zgjidhë e të lirohet prej saj.
Çfarë ka ndodhur? Flokët e artë janë kurth? Po sa kurthe ka jeta … E kanë zënë në flagrancë? E kanë dorëzuar te hasmi, armiqtë e tij? Jo … Simbolika nuk i përjashton si mundësi, por nuk thuhen në këngë. Mos e kanë tërhequr për ta përfshirë në një bashkësi tjetër, të huaj për të, familjen dhe miqtë e dherat e tij? Jo, as kjo s’ka ndodhur …
Atë e kanë shpënë vetëm pak më tej, në një hapësirë që nuk fjalëtohet por veç na jepet përmes cilësorëve përafrues si, dimër, shpellë, një çudi mahitëse pranë nesh, ja atje tej pas verdhë-osë – kaq thotë kënga – dhe kjo është më e rëndë se ato që thamë më lart, sa nuk mbahet dot.
5.
Dallgëzimi i flokëve të verdhë ndritës kundrejt errësirës së shpellës dhe dimërimit kontrastojnë dukshëm dhe e mbajnë situatën në dramaticitet të vazhdueshëm, siç del nga teksti, nga fjalët kyçe të këngës.
Por në tre vargjet e fundit ndërhyjnë fjalët shtëpi-shpellë, besë-qene. Shtëpia dhe besa nga pikëpamja antropologjike janë dy elementët më të vlerësuar të etnosit e etosit shqiptar. Pa hyrë në interpretime të këtij lloji, shtëpia është shndërruar në shpellë dhe besa në qenëri. Këto shndërrime të çojnë larg botës së zakonshme, të joshin shtigjeve të pyllit, në botën e ëndrrave, bimëve, zogjve e shtazëve, kodet e të cilëve janë të tjera. Kjo gjë, shtazërimi, ka ndodhur, se e ka pësuar burri, ligjëruesi i këngës. Ai do ta thotë, por nuk di se si ta përcaktojë, ai rreket të na e shpjegojë, por nuk e di sesi ta bëjë. Dhe kjo është më e rëndë se burgimi, prangosja, tradhtia, mërgimi ndër të huaj. Burri pranon se është vënë në pozitën e bishës, e kafshës së shpellave, në dimër, në vendbanimin e bishave. Pësimi i tillë shpirtëror, degdisja në nivelin e bishave, është i konkretizuar në vargje e në situatë.
Por klithma në melodinë e burrave prapë mbetet: verdhë moj lesh o verdh oo. Jo bukuria fizike, por veprimi shpirtëror bëhet shkak i pësimit të rëndë, i shtazërimit të burrit.
Në anën tjetër, tragjiciteti tashmë, pësimi tragjik, sikur rreh të justifikohet, përligjet, nënkuptueshëm me atë që burri jo vetëm nuk e fsheh edhe pas pësimit, bukurinë e flokëve të verdhë, por moralisht edhe atë se ai ka dhënë besë, kur tjetri (tjetra) që në krye është nisur për ta prerë në besë. Burri ka dhënë dashuri, kur tjetri (tjetra) e ka manipuluar me bukuri, për ta degraduar në shtazëri.
Në këtë rast nga sedra dhe nga mendësia e një burri të këtij etnosi dhe etosi nuk pranohet se ai është tradhtuar në dashuri, por në besë. Ai bën një transferim nga sfera ndjesore në atë morale. Për të një grua që nuk i përgjigjet dashurisë së tij, një dashurie-besë, ose që i përgjigjet vetëm përkohësisht, është veprim i dënueshëm, ose përmbysje e besës. Atëherë burri është besa dhe gruaja pabesia. Kjo logjikë përligj vetëm burrin. Por dhe e markon dhembjen e tij: një grua e ka dashur përkohësisht, por e zhgënjyer prej tij, i ka kthyer krahët. Logjika e ndjenjës këtë e pranon, por jo logjika burrërore e tradicionales.
Tashmë një zhgënjim dashuror, shndërrohet në zhgënjim moral. Janë dy sfera krejtësisht të ndryshme. Por “burri” nuk mund t’i japë shpjegim tjetër zhgënjimit të tij.
Ajo që mbetet atje lart në ajrin e këngës është prapë kunadheja leshverdhë, bukuria e pakapshme dhe jo lehtësisht e krejtësisht e zotërueshme. Ato mbeten të bukura dhe tej zhgënjimit dhe shtazërimit të atij që e ka pësuar. Në këtë optikë fjala, teksti, melodia janë më të mençura sesa morali, kuptimet mbi besën a pabesinë. Teksi është më i mençuri.
Britma ‘ooo lesh oo mooj leshverdh ooo’ flasin për magjepsjen e sëmurë të burrit edhe pasi ai ka rënë në nivelin e shtazërimit nga shkaku i këtyre flokëve të verdhë. Burri ende është i joshur, i çmendur pas tyre, përderisa i vajton edhe në shtazërimin e tij në shpellë, në dimër këta flokë të verdhë. Nuk ka dalë nga magjia e kunadhes leshverdhë. Është një burrë i fortë. Por mirë t’i bëhet! Flokët e verdhë sot e përgjithmonë do të jenë kërcënues për të. Për besën dhe për shtëpinë e tij.
Po këndon, ja, e dëgjoni … Mbytur. Si në sëmundje e zi. Kapërdirë dhe përmbajtur. Tërhequr thellë në brinjë e eshtra. Si vuajtje që do të të shoqërojë në të gjithë jetësinë tënde. Edhe se nuk do ta pranosh.
Ndaj këndon, kur pija i ka rënë paksa në kokë. Kur mund të jetë i hapur ndaj dobësive të tij. Edhe … edhe se po thërret si dëshmitar veten, pra, burrin, njeriun në nyjën më tragjike, në çastin kur ai ndëshkon veten e tij.
Në një këngë kaçakësh, të mbyllur në bodrumet e nëndheshme të kështjellave, ky çast këndohet kështu:
Koka e qenit, moj qene,
Që s’dite për veten tënde,
Nga bodrumet nuk u trembe.
Bodrum natë e bodrum ditë
Të mbyti kandilja sytë.
Vetëndëshkim i një zemre të egër, i një kokëkrisje prej kaçaku. Por e ardhur tëhu në kohë. Koha e kunadhes rrëshqet e fshehur diku thellë në humbëtirën e në muzgjet e shekujve. Dhe vetëndëshkimi, sado që zbutet nga flokët e verdhë, mbetet i pashpresë, i pa ngushëlluar.
6.
Tani besoj e përfytyroni së cila mund të jetë kjo grua, kjo magjistare, kjo bukuri që u shkakton burrave një varg ndëshkimi e vetëndëshkimesh të pafund.
Ajo zbulohet që në vargun madhështor “Dimëron përtej në shpellë”, një nga vargjet më kristalinë, të ftohtë, alpinë, nga vargjet më të shkëlqyera të lirikës dashurore shqiptare. Po si vallë?
Dimëron përtej në shpellë … një nderje, hovje në dimërim, si pa adrësë, por jo në erë, ka një strofull ku mblidhet, izolohet e përhap sfidë. Një ndjëshmëri e akullt, neutrale, një veprim pavetor, pavetësi që e jep folja jokalimtarë dimëron, folje e tipit veson, vetëtin, shungullon, veron, gjëmon. Kush dimëron përtej në shpellë? Në shpella nuk ka stinë, nuk ka dritë. Dimërojnë arinjtë, kunadhet e maleve, e pyjeve? Dimëron vetë dimri? Një situatë në eterin ë së përjetshmës, e së pakufizuarës në kohë. Dimëron leshverdha ë këngës? Heronjtë mitikë të legjendave? Një situatë, një largësi … sikur këtu në tokë, sikur diku lart në hënë, ku nuk ka bimësi, ku nuk ka stinë të tjera.
Vargu “Dimëron përtej në shpellë” për nga madhështia, zymtia është i dënjë për epikën heroiko-legjendare, paraqet klimën e përjetshme ku dimëron një grua fatale leshvërdhë, grua-kunadhe që josh burra, u heq mendjen me bukurinë ë saj, i trullos dhe i shtazëron, i ndryn në shpellë, në shtëpinë e saj.
Ç’është kjo grua flokëverdhë, a kunadhë, që jeton në thellësi të përjetshme, të mbështjella me fshehtësi të akullt? Është Sirena, gërshetëza e ujërave shqiptare, apo gruaja-ujk e miteve gjermanike, gra që i duan dhe i mbysin burrat.
Mos kjo grua e lirikës shqiptare ka hijen e Circes së Homerit? Si Circja ajo jeton larg viseve të banuara nga njerëzit, në vetmi dhe … në një dimër të përjëtshem. Burrat i tërheq përkohësisht në banesën e saj, i shtazëron, pastaj i çliron.
Magjia që u ka bërë, i brengos, se e vazhdon veprimin edhe kur ata janë larg prej shpellës së saj. /Gazeta “ExLibris”/