HIJA E JOTE BABË ËSHTË DRITË PËR NE

24 shkurt 08:26

XHEVAT B. MUQAKU

 

HIJA E JOTE BABË ËSHTË DRITË PËR NE

 

Sonte më pikon në shpirt

udhëtimi yt i shpejtë, akullthyes

dhe arkitekt i perandorisë sime.

 

Sonte zemra ime përjeton rekordin

e tik-takeve tua dhe të dashurve tanë

duke vrojtuar fytyrën tënde të hyjit

në medaljon.

 

Sonte në oazën tënde të qetësisë

të dërguan buzëqeshjen dy engjëjt tanë

diellin, hijen, dritën, dashurinë hyjnore

kurorën e gjelbër të vjeshtës nuse,

bekimin perëndie.

 

ORË E KURDISUR MBRAPSHT

 

Ëndërruar kam shkuljen e gishtit të vogël

prej këmbës sime të djathtë

në shkallën e dhimbjes dhjetë kate lart.

 

S’e dija se një krijesë kaq e imët

e vockël, e mbështjellë në kurorë

më lan e shpëlan papritmas në djersën time.

 

E çuditshme,

të presësh prej zorrës qorre leksion

sesi të plakesh në vendin tënd!

 

Dhe ja që s’ma kap fare,

edhe kësaj radhe

do t’i shpëtojmë të tjerët a veten

prej hiles së botës?

 

IMUNITETI I DHIMBJES

 

E ndihmova plakun tim

tek mblidhte breshërinë e gurëve

që e goditën shpinës nga mbrapa.

 

E njomë djersa vlerën mbi lajka

në shtegun e mezhdës së gjerë

dhe gjytetin e pallateve të Nikës.

 

Skuqën muret deri në kulm

ditën kur pushtohet zemra e tij

brenda kështjellës së tij me frytet e tij.

 

BIOGRAFI E LËKURËS SIME

(Për më të dashurit e mi, në vend të urimit)

 

Si peng të kohës në shtegtim e përkëdhel

me aromën e lule mjedrës pëllëmbën time

dhe e shkopsit sot shpirtin tim në jermi.

 

Lëmashkun e kërmijve hedh sot në greminë

e në dorën, sytë dhe veshët e mirë të botës

riprek, sheh, dëgjon një ditë,

një datë historike

Rreshtuar sot midis shkronjave L. dhe V.

 

ORË E (V)ARKËS NË LIQENIN E KALTËR

 

Në yllin e verës së Gramozit,

të gozhduar e gjetëm misterin e litarit

të muzës sime

për lotin e kaltër dhe arkën e përvëluar.

 

Panoramën e ishullit të luleve para nesh

e lundruam sa mbyllëm e çelëm sytë

me shpejtësinë e varkës së grabitur në besë.

 

Syri dhe goja e artë në gjirin Mainau

me Tianën e orës së liqenit

alarmuar ishte për Luanin

që e ngiste akulli, shiu dhe avulli.

 

Kërkoi që dallgë e valës rrufeshëm

të çahej ndërmjet qafës së mjellmës

Noahu i gjyshit, arkitekti ynë buzëqeshur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dorëshkrimi i Xhevatit më erdhi furtunshëm, duke ma rikthyer makinën…