Hill: Selimi dhe Krasniqi ishin të dedikuar për pavarësi, për Veselin kam dëgjuar, por për sistemin e raportimit në UÇK nuk di
Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi “ishin persona shumë të dedikuar për pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-ja ishte forca shtytëse”, ka thënë diplomati amerikan, Christopher Hill në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai është duke vazdhuar dëshminë e tij në rastin e krerëve të UÇK-së, dhe përveç takimeve dhe kontakteve me Hashim Thaçin është pyetur edhe për Selimin, Krasniqin.
Për Kadri Veselin, ka thënë se nuk i kujtohej se kur e ka dëgjuar emrin e tij.
“E kam dëgjuar emrin, por ti më pyet për emra që mund të kem dëgjuar apo jo 27 vjet më parë. Nuk e di në qoftë se këtë emër e kam dëgjuar atëherë apo më vonë”, ka thënë ai.
Hill ka thënë se nuk kishte informacion për sistemin e raportimit brenda UÇK-së.
“Nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK-së. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara kishin mundësi ose aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së. Unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së”, ka thënë Hill.
I pyetur nëse ekzistonte një njësit zbulimi dhe kundërzbulimi, Hill është përgjigjur: “Mendoj se duhet të ketë pasur një sistem të tillë, por nuk kam informacion”.



