Hill: S’kam dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së
Diplomati Christopher Hill, ka thënë se s’kishte dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së apo “që drejtonte ndonjë gjë”.
“Supozimi ynë ishte që shtabi i përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandantë lokalë që ishin bashkuar në një moment dhe drejtoria politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme”, ka thënë ai në Gjykatën Speciale në Hagë ku është duke dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së.
Sipas tij, personat brenda drejtorisë politike po tentonin të konsolidonin pozicionin e tyre, por nuk kishte një strukturë komanduese.
“Ideja që drejtoria kishte ndonjë rol brenda shtabit ishte diçka që personat brenda drejtorisë, përfshirë Demaçin ishte përpjekje për të treguar se ne jemi përgjegjës”.
“Dhe fakti që s’mund të gjenim një person që fliste në emër të të tjerëve, i konfirmoi dyshimet tona”.
Ai ka thënë se kishte shkuar në Shqipëri për t’u takuar me Xhavit Halitin pasi disa persona në qeverinë amerikane besonin se ai ishte personi përgjegjës, duke shtuar se edhe udhëtimet brenda Kosovës u bënë me qëllim që të gjendej personi që mund të fliste në emër të UÇK-së.



