Hill thotë se dialogu nuk parasheh reciprocitet: Të drejtat e shqiptarëve në Serbi trajtohen brenda Serbisë

28 mars 2023 | 23:06

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka përsëritur qëndrimin e tij për reciprocitetin në të drejta të barabarta në mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Serbi.

Hill ka thënë se dialogu i Brukselit nuk parashikon reciprocitet duke përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Dialogu i Brukselit është duke vazhduar që nga viti 2013. Unë mendoj se BE ka marrë një detyrë shumë të vështirë dhe dialogu i Brukselit nuk parasheh reciprocitetin. Reciprociteti që ju flisni, që ka të bëjë me qytetarët shqiptarë brenda Serbisë, duhet të zgjidhet brenda Serbisë. Kushtetuta e Serbisë e thotë se shqiptarët janë të barabartë me të tjerët në Serbi. Shumë njerëz në korrin diplomatik vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje këtyre problemeve. Janë probleme të cilat jemi të brengosur të gjithë dhe duhet të ketë një zgjidhje” ka thënë ambasadori amerikan në Serbin në një intervistë për një media shqiptare në Luginë të Preshevës, transmeton Express, përcjell Reporteri.net.

Tutje, Hill ka thënë se nëse Marrëveshja e Ohrit është e suksesshme, do të përfitojë i gjithë rajoni.

“Dialogu i BE-së që kulminoi me Marrëveshjen e Ohrit, ka të bëjë me Kosovën dhe zgjedhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse është e suksesshme, mund t’i ndihmojë të gjithë rajonit. T’i ndihmojë njerëzit që të krijojnë rrethana të reja ku kufijtë nuk do t’i ndajnë njerëzit, por t’i bashkojnë… Mendoj se dialogu do të përkrahet nga një gamë e gjerë e njerëzve, ku njerëzit mund të ulen në tavolinë e të gjejnë zgjidhje paqësore për problemet”, përfundoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe tani anëtar…