
Hiqet flamuri i UÇK-së te “Rrethi i Ismetit”, Pllashniku akuzon pushtetin (foto/video)
Agim Pllashniku, luftëtar i UÇK-së, së bashku me një grup shokësh veteranë të UÇK-së, para disa ditësh kishte ndërmarrë një iniciativë për ta vendosur flamurin e UÇK-së te “Rrethi i Ismetit” në Prishtinë.
Ai ka treguar se me këtë veprim po nderojnë simbolin e shenjtë të luftës për liri – flamurin e UÇK-së, duke kujtuar sakrificën e mijëra luftëtarëve që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës.
Ai kishte thënë se propozojnë që ky rreth të emërtohet tash e tutje “Rrethi i Flamurit të UÇK-së”.
Por sot, e premte, ky flamur i vlerave të luftës është larguar nga “Rrethi i Ismetit”.
Agim Pllashniku thotë për “Epokën e re” se nga informatat që ka marrë, Komuna e Prishtinës nuk e ka hequr flamurin dhe as Inspektorati i Prishtinës. “Komuna e Prishtinës është zotuar që nuk e ka hequr flamurin. Sipas informatave të mia flamurin e UÇK-së e ka larguar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu. Kështu i kam informacionet”, ka thënë Pllashniku, duke shtuar se për këtë rast e ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
Pllashniku ka thënë se prapë do ta vendos flamurin e UÇK-së aty ku ka qenë. “Këtë flamur e ka hequr dora e armikut gjakatare. Por unë prapë do ta vendosi. I bëjë apel organizatave të dala nga lufta që reagojnë për këtë veprim”, ka thënë ai.