Hisen Berisha: Dubrava, kujtesë që nuk zbehet, plagë që kërkon drejtësi

22 maj 2025 | 21:46

Ish-deputeti Hisen Berisha sot, në përvjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës, u përkul me nderim para jetëve të pafajshme që u shuan brenda mureve të burgut të Dubaravës.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja në ceremoninë e inaugurimit të memorialit për viktimat e kësaj masakre është më shumë se një akt përkujtimi dhe nderimi.

“…është një angazhim i heshtur, por i patundur për të mos lejuar as harresën, as padrejtësinë. Ajo çfarë ndodhi në majin e vitit 1999, brenda mureve të Burgut të Dubravës, është një nga krimet më të rënda të regjimit serb ndaj të burgosurve – shqiptarë të Kosovës. 117 të burgosur u masakruan nga forcat serbe, më se 300 të plagosur, pas një inskenimi të qëllimshëm me bombardime, që kishin për qëllim t’i nxirrnin të burgosurit në hapësirë të hapur për t’i eliminuar. Duke mos harruar për asnjë çast Ukshin Hotin që ende konsiderohet si i zhdukur”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Ai ka shtuar tutje se: “Shumë prej atyre që ishin sot në ceremoninë përkujtimore – të mbijetuar, familjarë, dëshmitarë të drejtpërdrejtë – janë dëshmi e gjallë e një tragjedie që vazhdon të kërkojë drejtësi, edhe pas më shumë se dy dekadash”.

“Dubrava nuk është vetëm histori e dhimbjes, por është aktakuzë ndaj pandëshkueshmërisë. Masakra në Dubravë nuk është vetëm një krim i kaluar. Ajo është simbol i heshtjes që vijon, i drejtësisë që mungon dhe i një sistemi ndërkombëtar që shpesh është treguar i ngathët në ballafaqim me krimet e luftës në Kosovë. Përkundër dokumentimit të gjerë dhe dëshmive të shumta, shumë prej autorëve të këtij krimi nuk janë sjellë para drejtësisë.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi për viktimat dhe familjet e tyre, është plagë e hapur në ndërgjegjen tonë kolektive. Dubrava nuk është thjesht një kujtim i dhimbjes por është edhe thirrje për drejtësi”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se kujtesa nuk është hakmarrje, por mbrojtje e së vërtetës.

“Edhe nëse dikush, me ftohtësinë politike, mendon për pajtim e falje, kjo s’do të thotë harresë. Me këtë nuk po kërkohet hakmarrje, por drejtësi.
Kujtesa e këtyre viktimave duhet të jetë pjesë e edukimit tonë në familje e shkolla, e vetëdijes sonë shtetërore dhe e marrëdhënieve tona ndërkombëtare. Sepse pa njohjen dhe respektimin e të kaluarës, pa vendosje të drejtësisë, nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa njohjen e krimeve, nuk ka as shërim shoqëror”.

“Memoriali i sotëm ndoshta mund të konsiderohet një hap i vonuar, por ishte i domosdoshëm, për shkak të mesazhit që përcjell. Mbase i tërë ky ambient burgu do të duhej të ishte kthyer në një memorial, diçka si ai i Holokaustit në Mynih të Gjermanisë”.

“Megjithatë, inaugurimi i memorialit në Dubravë, është një hap i rëndësishëm institucional, për t’ua kthyer dinjitetin e mohuar viktimave dhe për të forcuar kujtesën historike. Por a mjafton?
Shteti i Kosovës duhet të ndërtojë politika të qëndrueshme të përkujtesës, të dokumentojë sistematikisht krimet e luftës dhe të kërkojë drejtësi ndërkombëtare me zërin e fakteve dhe akuzave formale”, ka theksuar ish deputeti Berisha.

Ai ka deklaruar se masakra e Dubravës do të jetë pjesë e kujtesës sonë kombëtare, dhe si e tillë, nuk guxon të mbetet në hije.

“Të kujtosh e të nderosh viktimat, si pjesë e errët e çdo lufte, nuk është formalitet por është akt rezistence ndaj harresës, ndaj mohimit, ndaj padrejtësisë. Krimet e luftës nuk harrohen. Nuk vjetrohen. Nuk falen pa u trajtuar me drejtësi.
Të kujtosh është të kujdesesh që kjo të mos përsëritet kurrë më”, ka theksuar Hisen Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Këshilli i…