
Hisen Berisha: Koha për bashkëpërgjegjësi, jo për heshtje, qëndrime partiake që kalojnë përmes strukturës
Ish-deputeti Hisen Berisha ka komentuar deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Enver Hoxhaj, i cili tha se do ta përkrahte një koalicion PDK-LV.
Berisha ka theksuar se në Partinë Demokratike është kryetari apo të autorizuarit nga ai që shpreh qëndrimin e partisë lidhur me çështjet politike, me deklarim direkt apo deklarata politike – të maturuar në vlerësimet e strukturës partiake, “ndërsa z. Hoxhaj, si një nga nënkryetarët e partisë me integritet politik, shpreh një alternativë politike brenda PDK-së, që dëshmon pluralizmin e mendimeve në parti. Por në PDK, vendimet politike nuk merren individualisht – ato certifikohen nga strukturat e partisë”, ka theksuar Berisha.
Ai ka thënë se kështu që edhe vendimet për koalicione apo bashkëpunime politike kalojnë përmes strukturave të partisë dhe certifikohen institucionalisht.
“Pa këtë proces, qëndrimet mbeten personale si alternativa. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për reflektim politik dhe përgjegjësi institucionale.
Jemi në një krizë të thellë dhe çdo hezitim për të bashkëpunuar për hir të shtetit nuk është akt opozitar, as edhe forcë politike, por vetëflijim institucional”.
“PDK dhe partitë e tjera duhet të lëvizin nga logjika e rivalitetit drejt përgjegjësisë së përbashkët. Kjo nuk është thirrje për bashkëqeverisje, por për bashkëpërgjegjësi në mbrojtje të rendit kushtetues dhe interesit shtetëror.
Kosova nuk mund të jetë eksperiment i një autokracie me legjitimitet të rrënuar.
Është koha për veprime të mençura, jo për heshtje të dëmshme”, ka pohuar Berisha.