
Hisen Berisha: Më në fund, koha e heshtjes ka kaluar. Shoqëria civile duhet të flasë
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka reaguar për aksionin e sotëm të shoqërisë civile sot para ndërtesë së Kuvendit, ku 120 karrige të zbrazëta ishin vendosur në shenjë të moskonstituimit të Kuvendit.
Ai ka shkruar në “Facebook” se Kosova ndodhet në një moment të rrezikshëm stanjacioni politik.
“Partitë politike, në vend se të përmbushin përgjegjësinë e tyre për ndërtimin e institucioneve, janë futur në një lojë kalkulimesh cinike e zvarritjeje, që po minon themelet e shtetit. Kuvendi nuk po konstituohet, qeveria nuk po formohet, ndërsa vendi po ngec qoftë institucionalisht, ekonomikisht, por edhe moralisht. Në këtë situatë, shoqëria civile nuk mund të rrijë më spektatore. Koha e analizave të heshtura dhe neutralitetit të kujdesshëm ka kaluar. Ajo që po ndodh sot nuk është vetëm një krizë politike, por një krizë e funksionimit demokratik dhe një rrezik për vetë legjitimitetin e shtetit”, ka shkruar ish-deputeti Berisha.
Ai ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë veprim dhe përgjegjësi. “Shoqëria civile ka detyrë që këtë kërkesë ta artikulojë fuqishëm. Sepse kur partitë politike zgjedhin bllokadën, duhet të jetë zëri i qytetarisë aktive ai që zhbllokon situatën dhe thyen heshtjen. Nëse nuk reagojmë sot, do të jemi bashkëfajtorë nesër. Prandaj duhet ngritur zëri, me deklarata të përbashkëta, me forume publike, me peticione, me fushata ndërgjegjësimi, madje edhe me protesta demokratike nëse është e nevojshme. Demokracia mbrohet kur qytetarët dhe organizatat e tyre e ndjejnë si përgjegjësi personale dhe kolektive. Duhet përshëndetur aktiviteti i sotëm ndërgjegjësues”, ka theksuar ai.
Hisen Berisha ka thënë se bllokada e sotme nuk është vetëm e dëmshme kjo është e rrezikshme.
“Sa më gjatë të zgjasë, aq më shumë i jep hapësirë ndikimeve destabilizuese nga jashtë dhe humbjes së besimit nga brenda. Ndërkohë që Perëndimi dërgon sinjale të qarta për nevojën e stabilitetit, brenda vendit, ne nuk duhet të lejojmë që zërat e arsyes të mbesin të heshtur. Shoqëria civile nuk është opozitë politike – është ndërgjegjja publike. Dhe kur politika dështon, është ndërgjegjja ajo që duhet të zgjohet”, ka theksuar Berisha.