Hisen Berisha: Nderim çdo ushtari të FSK-së që mbi supe mban uniformën dhe emblemën e shtetit
Gjenerali Hisen Berisha ka shkruar për “Ditën e Forcës”.
Ai ka thënë se sot kur shënojmë Ditën e Forcave të Armatosura të Kosovës, nderojmë jo vetëm një institucion shtetëror të mbrojtjes, por një trashëgimi historike që lidhet thellë me rrënjët tona kombëtare.
“Kjo ditë vjen në vazhdën e nëntorit, muajit të identitetit shqiptar, kur u hodhën themelet kulturore, politike dhe shtetformuese të kombit tonë. Nga Kongresi i Manastirit, i cili i dha gjuhës sonë alfabetin e përbashkët dhe shndërroi fjalën shqipe në një instrument të fuqishëm të ndërgjegjes kombëtare; te ngritja e flamurit në Vlorë e shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar; nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë në Durrës, të gjitha këto pikënisje ishin preludi i një epoke që do të kulmonte me shtetin e Kosovës. Kjo ditë përkon me kujtesën tonë historike dhe me vlerat e modernitetit politik shqiptar. Është nyje që lidh alfabetin, gjuhën që na bashkon; flamurin, simbolin që na përfaqëson; dhe lirinë, si arritjen më të shtrenjtë të kombit”.
“Po aq kjo ditë përkon me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktin më të lartë të sakrificës dhe krenarisë sonë, që sot përbën ADN-në e identitetit të shtetit të Kosovës. Forca, është trashëgimtare morale dhe institucionale e këtij rrugëtimi, mishërim i vullnetit për të jetuar të lirë, i gatishmërisë për të mbrojtur sovranitetin, paqen dhe territorin tonë. Sot, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk janë vetëm simbol kombëtar, por janë garanci e të ardhmes. Janë institucioni që ruan paqen, mbron qytetarin, ndërton siguri dhe rrit besimin e aleatëve tanë. Nga misionet ndërkombëtare ku djemtë dhe vajzat tona mbajnë me dinjitet uniformën e Kosovës, te përkushtimi i përditshëm në shërbim të popullit, FAK po shkruan një kapitull të ri të shtetësisë sonë. Lavdi dëshmorëve të kombit që e ndërtuan lirinë me gjak. Respekt të përjetshëm veteranëve dhe luftëtarëve të UÇK-së që e mbajtën gjallë shpresën. Nderim çdo ushtari dhe oficeri të FSK-së që sot mban mbi supe uniformën dhe emblemën e shtetit, me betimin për ta mbrojtur atë me çdo kusht”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.



