
Hisen Berisha në Istog, bën thirrje për mbështetje të fuqishme për Ali Nimanaj dhe kandidatët për asamble
Ish-deputeti i PDK-së, zyrtari i kësaj partie, Hisen Berisha, ishte i pranishëm në një tubim elektoral në prezantimin e kandidatit për kryetar të Komunës së Istogut, Ali Nimanaj dhe kandidatëve për Asamble Komunale nga PDK-ja.
Gjenerali në pension tha bëri thirrje që më 12 tetor të votohet fuqishëm për Ali Nimanajn kryetar dhe me ekipin e PDK-së në Asamble.
“Të nderuar qytetarë të Istogut, të dashur bashkëluftëtarë, miq e përkrahës të PDK-së. Sot jemi mbledhur për një kauzë të madhe – për ta përkrahur një njeri të arsimuar, të edukuar, të urtë e me vizion: z. Ali Nimanaj, i cili me energjinë e brezit të ri sjell frymë të re për Istogun. Aliu përfaqëson një gjeneratë që beson në punë, në zhvillim, në transparencë dhe në shërbim ndaj qytetarëve. Ai është shembull i qartë se si arsimi dhe edukata e mirë ndërtojnë një lider të përgjegjshëm, me vizion për të ardhmen”, ka thënë Berisha.
Ai ka theksuar se mbështet fuqimisht kandidaturën e tij, jo vetëm si qytetar i lirë i Kosovës, por edhe si ish-komandant i frontit të Koshares. “Ku pata pranë me dhjetëra djem trima – djem të Istogut. Djem që u besova në luftë dhe u besoj edhe sot në paqe. Ata dhanë gjithçka për këtë tokë, dhe sot ne kemi përgjegjësi të shenjtë: t’i nderojmë duke ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”.
“Istogu ka nevojë për zhvillim, për mundësi të reja për të rinjtë, për administratë të pastër dhe për ekonomi të gjallëruar. Këto nuk janë vetëm fjalë, por obligime që Ali Nimanaj i ka vendosur si prioritet të qartë në programin e tij”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se Nimanaj bashkë me ekipin e tij të kandidatëve për Asamblenë Komunale, do të dijë t’i dëgjojë qytetarët dhe t’i shndërrojë hallet e tyre në politika konkrete.
“Lidershipi i tij nuk buron nga arroganca, por nga urtësia, nga vlerat dhe nga përvoja në shërbim publik. Të dashur qytetarë, Istogu meriton më shumë! Dhe ky “më shumë” fillon me Ali Nimanajn. Prandaj, ta përkrahim fuqishëm, që Istogu të ketë një kryetar të denjë, një vizionar që sjell zhvillim, drejtësi dhe dinjitet. Më 12 tetor, ju ftoj që të votojmë fuqishëm për të – sepse me Ali Nimanajn kryetar dhe me ekipin e PDK-së në Asamble, Istogu do të ketë të ardhme të sigurt dhe dinjitoze”, ka deklaruar Berisha.