Hisen Berisha: Paaftësia për të ndërtuar dhe mbajtur shtet, reflektim i trashëgimisë politike

02 qershor 2025 | 14:00

Pas dështimi të 25 të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ish-deputeti Hisen Berisha.

Ai në një shkrim në “Facebook” ka shkruar se po t’u referohemi proceseve politike për krijimin e identitetit kombëtar e politik, proceseve të shtetformimit, transformimit dhe tranzicionit të regjimeve gjatë historisë, atëherë duhet të na kompleksojë paragjykimi i armiqve “Fishtianë” të kombit tonë, në të cilin përkthehet kaosi politik që po e jetojmë, historikisht.

“Po t’i referohemi Shqipërisë, që nga shembja e komunizmit dhe diktaturës, tranzicionit mbi tridhjetëvjeçar, dhe ende të papërfunduar atje; apo procesit të konsolidimit të shtetit funksional tek ne, në Kosovë – i cili, përkundër mbështetjes së drejtpërdrejtë politike, diplomatike, teknike dhe profesionale nga aleatët tanë, ka kaluar mbi dy dekada transformim e tranzicion të pasuksesshëm, duke e sfiduar vetveten me doktrinën ogurzezë “për inat të sime re, vdektë im bir” – atëherë shqetësimi shkon përtej filozofisë sociale, drejt nevojës për reflektim mbi trashëgiminë politike kombëtare”, ka shkruar ai.

Sipas tij. shqetësimisht, edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Çamëri e Sanxhak, nuk dallojnë shumë nga kjo mendësi, e cila ose duhet të jetë gjenetike dhe trashëgohet, ose armiqtë “Fishtianë” të kombit tonë e kanë instaluar aq thellë, sa nuk po shërohemi dot prej saj.

“Kjo situatë më kujtoi një tregim të përhapur në trevën e Gjakovës rreth plakut trim e të urtë, Bacës Gjon Marku – kryefamiljar dhe paraardhës i familjes së madhe Deda nga Guska e Gjakovës – i cili ka lënë pas një thënie filozofike me nuanca të thella politike, që përshkruan me saktësi gjendjen aktuale në Kosovë, sidomos pas datës 14 shkurt 2021 – një moment që nga disa konsiderohet si një formë e re “çlirimi”. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe tragjedisë në të cilën rrëshqitëm ne shqiptarët me rreshtimin e gabuar kah lindja, gjë të cilën e kemi justifikuar si tradhti që gjoja Jugosllavia e udhëhequr nga Tito i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve – veçanërisht nëpërmjet mohimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit – në Gjakovë u organizua një tubim i madh nga lideri komunist i kohës, Fadil Hoxha. Ky tubim synonte të propagandonte një të ardhme për shqiptarët e Kosovës, e cila në fakt shënonte vazhdimin e tradhtisë dhe nënshtrimin ndaj strukturave të federatës jugosllave”, ka shkruar Berisha.

Ai ka shtuar se: “Sipas dëshmive gojore, gjatë këtij tubimi, ndërsa po ndërtohej tribuna, Fadil Hoxha iu afrua turmës dhe, sapo vuri re Gjon Markun, e përshëndeti me formulën karakteristike të kohës: “Baca Gjon, vdekje fashizmit!” Përgjigjja e plakut ishte e menjëhershme dhe thellësisht domethënëse: “Jo, Komandant Fadil: vdekje Gjon Markut, se edhe kësaj radhe na latë në Serbi!” Kjo përgjigje, që dikur mund të jetë perceptuar si cinike apo tragjikomike, sot fiton një dimension profetik, sidomos kur konteksti politik në Kosovë tregon shenja të thella të degradimit institucional. Mungesa e ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë në trajtimin e institucioneve shtetërore – përfshirë Kuvendin e Kosovës – ka bërë që vota e qytetarit dhe përfaqësimi politik të humbasin vlerën dhe kuptimin”.

Berisha ka theksuar se përfaqësues politikë me mungesë etike, kod veshje e sjellje që fyejnë institucionin, me analfabetizëm funksional të fasaduar pas diplomave, përbëjnë sot një realitet shqetësues.

“Kursi politik që po ndiqet nga udhëheqësit institucionalë ka ngritur alarmin edhe te aleatët më të afërt të Kosovës. Në këtë klimë, thënia e Gjon Markut bëhet një metaforë e dhimbshme për një komb që vazhdon të përballet me dilema të mëdha rreth vetëqeverisjes dhe ndërtimit të shtetit. Nuk është e rastësishme që edhe Kadri Veseli, gati tetë dekada më vonë, lëshoi një paralajmërim të ngjashëm, i cili çdo ditë, po kontekstualizohet në realitetin politik të Kosovës”.

“Me mbi 20 vazhdime të seancës konstituive të Kuvendit, politikanët kosovarë – të cilët në parim duhet të ofrojnë zgjidhje për çdo krizë – nuk po arrijnë të përmbushin as funksionet më bazike të përfaqësimit demokratik. Në këtë periudhë tranzicioni dhe shtetndërtimi, përkufizimi i politikës në “kosovarishte” rrezikon të përkthehet si: Paaftësi për të ndërtuar dhe mbajtur shtet”, ka shkruar Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i New Orleans Pelicans, Zion Williamson është akuzuar për…