
Hisen Berisha reagon ndaj deklaratës së zyrtares së Speciales, e quan provokim dhe fyerje
Ish-deputeti dhe ish-komandant i UÇK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së zyrtares së Dhomave të Specializuara, e cila ka thënë se në shumicën e shesheve kryesore në Kosovë sheh statuja të ushtarëve të UÇK-së dhe nuk ka asnjë statuje që përkujton viktimat ku ushtarët e UÇK-së ishin autor.
Berisha ka thënë se kjo deklaratë është provokim i hapur dhe cenim i kujtesës sonë kolektive mbi luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Të aludohet se në Kosovë mund të ngritën statuja për ata që ishin armiq të lirisë dhe të pavarësisë, është jo vetëm absurde, por edhe një tentativë për të përmbysur narrativën historike të drejtë dhe të verifikuar ndërkombëtarisht. Është fyerje për dëshmorët tanë, por edhe një tentativë e rrezikshme për të rishkruar historinë në favor të agresorit. Këtu, në Kosovë, nderohen ata që luftuan, sakrifikuan gjithçka për liri, dinjitet dhe drejtësi, ata që e dhanë edhe jetën, jo ata që kanë qenë pjesë e një makinerie shtetërore që kreu krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid ndaj popullit e vendit tonë. Kosova nuk ndërton përmendore për ata që deshën ta zhdukin si popull. Monumentet e atyre që përfaqësojnë dhunën, masakrat dhe shtypjen nuk kanë vend në tokën tonë – ato u takojnë atyre që ende s’janë përballuar me të kaluarën e tyre kriminale”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ai ka thënë se: “Nëse dikush nga zonjat apo zotërinjtë nga Tribunali i Hagës, dëshiron të shohë përmendore të tilla, ato nuk gjenden në sheshet e Prishtinës apo të qyteteve tona, por në Serbi – vendi nga ku erdhi agresioni dhe gjenocidi. UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por një forcë çlirimtare që doli nga gjiri i një populli të shtypur, dhe çdo përpjekje për ta kriminalizuar atë është një përpjekje për ta rishkruar historinë sipas interesave të atyre që duan t’i relativizojnë krimet e shtetit serb; të zbehin luftën e UCK dhe ta njollosin atë”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte përgjigjja e natyrshme dhe e domosdoshme ndaj shtypjes sistematike, ndaj spastrimit etnik dhe ndaj një regjimi gjenocidal. “Çdo përpjekje për ta njollosur atë është përpjekje për të barazuar viktimën me xhelatin është një padrejtësi e madhe që nuk do të pranohet kurrë. E vërteta nuk zhduket me deklarata politike, as me procese drejtësie të stisura nga pretendimet subjektive të armikut. Ajo qëndron e gdhendur në kujtesën e popullit dhe në të drejtën tonë legjitime për të jetuar të lirë në vendin tonë. Zyrtarët që flasin në këtë mënyrë nuk po e ndihmojnë drejtësinë, por po e thellojnë padrejtësinë. Ata nuk po kërkojnë të zbardhin të vërtetën, por të mjegullojnë atë. Dhe këtë nuk do ta lejojmë. Historia jonë nuk shkruhet nga ata që s’kanë jetuar realitetin tonë, por nga gjaku i atyre që ranë për liri”, ka thënë Berisha.