Hisen Berisha: Votimi i Bashës për kryeparlamentar rezulton të jetë fyerja institucionale më e rëndë në liri
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se votimi i Dimal Bashës për kryeparlamentar rezulton të jetë fyerja institucionale më e rëndë në liri
“Votimi dhe ngritja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës është një fyerje e pashembullt për UÇK-në, për luftën çlirimtare dhe për sakrificën e popullit tonë”, ka shkruar Berisha në një shkrim të gjatë në “Facebook”.
Ai ka thënë se Dimal Basha nuk është thjesht një emër i kontestuar politik. “Ai është bashkëautor i shkrimeve akademike që e cilësojnë luftën e UÇK-së si krim dhe kombin shqiptar si ndërtues të aleancave kriminalo-politike”, ka vlerësuar ish-deputeti Berisha.
Shkrimi i plotë i Berishës:
Votimi i Kryeparlamentarit rezulton të jetë fyerja institucionale më e rëndë në liri
Votimi dhe ngritja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës është një fyerje e pashembullt për UÇK-në, për luftën çlirimtare dhe për sakrificën e popullit tonë.
Është njësoj sikur Miloševiqi kur i impononte Kosovës figurën e Sejdo Bajramoviqit – një nomad politik pa identitet kombëtar, në shërbim të interesave të huaja.
Dimal Basha nuk është thjesht një emër i kontestuar politik. Ai është bashkëautor i shkrimeve akademike që e cilësojnë luftën e UÇK-së si krim dhe kombin shqiptar si ndërtues të aleancave kriminalo-politike. Në një nga veprat e tij të përbashkëta me Jana Arsovska, shkruhet se citoj: “Procesi i radikalizimit mes shqiptarëve të Kosovës pasoi pas vitit 1995. Ballkani gjithashtu ishte dëshmitar i lindjes së një milicie ilegale të njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Pas themelimit të UÇK-së, shqiptarët e Kosovës nisën një kryengritje të armatosur kundër autoriteteve serbe (1998–1999).”
Pra, lufta e drejtë çlirimtare e popullit shqiptar etiketohet si “milici ilegale”. Ky është një përkufizim i drejtpërdrejtë që përputhet me narrativën e Beogradit dhe të hetuesve të Hagës kundër UÇK-së.
Po ashtu, në këtë publikim tjetër autorët shkruajnë, citoj: “Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimet e siguruara nga banditë patriotë që vepronin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare dërgoheshin në organizata humanitare si Vendlindja Thërret.”
Më tej shkruhet, citoj: “Konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjet kriminalo-politike ndërkombëtare të Kosovës në emër të ‘ndërtimit të kombit.’ Konflikti u ofroi kriminelëve mundësinë për një çlirim episodik nga kufizimet morale.”
Pra, sakrifica e diasporës shqiptare, që kontribuoi me gjakun dhe pasurinë e saj për lirinë e Kosovës, shpallet krim i organizuar ndërkombëtar.
E gjithë lufta dhe shteti ynë i pasluftës portretizohen si produkt i mafias dhe zhvatjes, duke u mbështetur në “rastet e trafikantëve të drogës dhe banditëve” që sipas tyre paskan financuar dhe armatosur UÇK-në.
Këto nuk janë thjesht fjalë akademike. Këto janë formulime që përforcojnë akuzën e Dhomave të Specializuara të Hagës se UÇK-ja ishte një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
Si mund të drejtojë Kuvendin e Kosovës një person që ka nënshkruar tekste ku shkruhet se:
– “UÇK ishte një milici ilegale.”
– “Mbijetesa e saj varej nga banditët patriotë.”
– “Konflikti etnik legjitimoi lidhjet kriminalo-politike të Kosovës.”
Ky është turp dhe tradhti për Kosovën.
Për këtë akt të rëndë, nuk është fajtor vetëm Dimal Basha. Çdo deputet ka përgjegjësi politike, që ka ngritur dorën për të votuar këtë emër dhe është bashkëpjesëmarrës në poshtërimin e UÇK-së, luftës sonë dhe sakrificës kombëtare.
LVV, me në krye Albin Kurtin, prej kohësh ka ndërtuar një diskurs që shpesh është në kundërshtim me trashëgiminë e luftës. Shumë figura të saj kanë etiketuar e denigruar UÇK-në. Emërimi i Bashës është vetëm kulmi i kësaj strategjie të rrezikshme.
Ka zëra që tentojnë ta relativizojnë këtë skandal, duke e shitur si “parimësi” për të kapërcyer bllokadën institucionale. Ky është mashtrim. Nuk ka parimësi aty ku në krye të shtetit vendosen njerëz që i kanë shërbyer me penë narrativës antishqiptare.
Të pranosh këtë, në emër të “stabilitetit”, do të thotë të legjitimosh çarqet dhe agjendat kundër shtetit të Kosovës.
Po ashtu, duhet ngritur pyetja: si është e mundur që një figurë me këtë bagazh publikimesh është certifikuar si kandidat për deputet? Kush e ka lejuar kalimin e tij në listat zgjedhore pa u shqyrtuar përmbajtja e veprave që ai vetë ka nënshkruar?
Ky është një dështim institucional që kërkon hetim dhe përgjegjësi, jo vetëm për individin, por edhe për mekanizmat që e kanë certifikuar.
Për të dalë nga ky bllokim institucional dhe për të shpëtuar nderin e shtetit, nuk ka rrugë tjetër përveç:
1. Shkarkimit të menjëhershëm të Dimal Bashës nga pozita e Kryetarit të Kuvendit.
2. Rikthimit të dinjitetit institucional përmes zgjedhjes së një figure që mishëron respektin ndaj luftës çlirimtare dhe sakrificës kombëtare.
Çdo ditë që Basha mbetet në krye të Kuvendit është një ditë e fyerjes dhe e poshtërimit të Kosovës. Vota për të është dhe do të mbetet votë turpi e tradhtie kombëtare.



