Historia e Muhametit, nga mbipesha tek Lojërat Olimpike Verore

30 shtator 2018 | 15:56

Nga pesha e tepërt dhe sëmundja e bronhitisit që e kishte Muhamet Ramadani tri vjet më parë, arriti të rikthehet në një sportist të suksesshëm. Në kohën kur Muhameti kishte probleme me peshën dhe me shëndet, babai i tij, Shabani, kishte vendosur ta angazhonte në sport dhe, pas konsultimit me profesorin e tij, Mustafë Rrustemi, trajner i Klubit të Atletikës Trepça, mori vendim që Muhameti të angazhohet në këtë klub në disiplinën hedhje (shtytje) e gjyles.

Muhamet Ramadani që kishte peshë të tepërt, nis t’i heqë kilogramët e tij dhe me këtë ta tregojë edhe talentin, duke mos i munguar edhe rezultatet të cilat për tri vjet ia siguruan pjesëmarrjen në ngjarjen më të madhe botërore të sportit për të rinj, Lojërat Olimpike Verore, “Buenos Aires 2018”. “Për shkak të bronhitisit është dashur që për muaj të tërë t’i japim inhalim. Nga trajneri i tij kërkoja të më tregonte se si të ushtroja edhe në shtëpi. Na hyri në gjak kjo disiplinë dhe ia rregullova edhe oborrin e shtëpisë për të stërvitur”, ka treguar babai i Muhametit, Shabani. “U bëra trajner personal, fillova të kërkoja në internet stërvitje të ndryshme, pasi kërkohej vazhdimisht angazhim dhe kohë e madhe. Prej 2-4 orë në ditë merresha me të”, ka shtuar Shaban Ramadani.

Muhameti, tani 16-vjeçar, në fillim hidhte “topin e hekurt” në 4 kg, kurse më pas 5 kg. Me pesë kilogramë arriti ta fitojë normën për të garuar në Kampionatin Evropian të Atletikës për të Rinj, pasi në Kampionatin Ballkanik “Stamboll 2014”, zuri vendin e katërt, duke hedhur gjylen në largësi 17.01 metra. Rezultati i ndryshoi këtë vit në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, duke e hedhur gjylen 18.32, rezultat ky që i është pranuar nga Federata Evropiane e Atletikës, të cilët ia dërguan më pas ftesën për ta përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, “Buenos Aires 2018”.

“Më është realizuar ëndrra. Në Buenos Aires synoj ta hedh gjylen 18.50 metra”, shprehet Muhameti, që nuk dëshiron shumë të flasë. Muhameti të hënën e 1 tetorit udhëton drejt Buenos Aires të Argjentinës, bashkë edhe me trajnerin Mustafë Rrustemi. Në gara do të dalë më 12 tetor. Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, “Buenos Aires 2018”, mbahen prej 6-18 tetor. Kosovën e përfaqësojnë edhe katër sportistët të tjerë: Xhudistja Erza Muminoviq, e vetmja me normë, notarja Melisa Zhdrella, boksieri Erdonis Maliqi dhe peshëngritësi Bleron Fetaovski, të tre këta me ftesë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lewis Hamilton ka hedhur një tjetër hap drejt titullit të…