HISTORIA E NJË RRUGE NË GJILAN QË MBAN EMRIN NUE MARTIN GASHI
I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni,
E nderuar zonja Stane Gashi,
E nderuar f amilje Gashi,
Të nderuara familje të dëshmorëve Zeka, Malaj, Berisha,
Të nderuar veteranë të luftës, deputetë, drejtorë, këshilltarë komunalë,
Zonja dhe zotërinj,
Tema ime sot titullohet:
“Shtëpia e Nue dhe Stane Gashit – në shërbim të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”
Shkëndijat e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar në Kosovë, por edhe jashtë saj, filluan të ndizen shumë herët. Me kalimin e viteve, ato u shndërruan në flakë të zjarrtë, e cila mori hov të veçantë më 28 nëntor 1997, me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, datë që shënoi një festë të dyfishtë kombëtare: Ditën e Flamurit dhe daljen e parë publike të UÇK-së.
Në atë periudhë, Kosova digjej nga represioni i armikut shekullor serb. Krijimi i Zonës Operative të Karadakut e shndërroi zyrtarisht gjithë territorin e Kosovës në zonë lufte, duke e përfshirë dhe mbuluar nga radhët e Komandës së Përgjithshme të UÇK-së.
Në këto kushte të rënda, udhëheqësit dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin nevojë për çdo formë mbështetjeje, si për strehim, ushqim, pushim e siguri. Por një gjë e tillë nuk mund t’i besohej kujtdo. Pikërisht këtu del në pah familja Gashi – në veçanti heroina Nënë Stane Gashi dhe bashkëshorti i saj, i ndjeri Nue Gashi.
Kush ishte Stane Gashi?
Stane Gashi u lind më 2 dhjetor 1947 në fshatin Brus, nga prindërit Prena dhe Pjetër Gashi. Ishte motër e nëntë vëllezërve e motrave: Jozefit, Gjonit, Tomët, Simonit, Gjergjit, Llukasit, Paulinës dhe Agetës.
Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa jeta e mësoi për gjithçka.
E rritur në një familje me tradita të forta kombëtare, në qershor të vitit 1965 u martua me Nue Martin Gashin nga fshati Peshter, me të cilin krijoi një familje të madhe prej 11 fëmijësh – tetë djem dhe tri vajza: Filipi, Fatmiri, Viktori, File, Agimi, Afrimi, Vera, Augustini, Agroni, Lurde dhe Marjani, të cilëve më vonë iu shtuan 33 nipa e mbesa.
Tre nga djemtë e saj – Filipi, Fatmiri dhe Viktori – u rreshtuan me krenari në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe pjesa tjetër e familjes kontribuoi në mënyra të ndryshme, por të domosdoshme, për përkrahjen e luftës.
Shtëpia e tyre në Lagjen Peshter të fshatit Brus (Komuna e Lipjanit) u shndërrua në një vatër të rëndësishme të rezistencës. Gjatë viteve të luftës, ajo shërbeu si vend për ushqim, strehim, armatim e logjistikë. Sipas dëshmive të shumta, rreth 300 ushtarë të UÇK-së janë strehuar, ushqyer dhe pushuar në këtë shtëpi, duke gjetur aty ngrohtësi, siguri dhe përkujdesje të sinqertë.
Familjarët kujdeseshin që, gjatë qëndrimit të ushtarëve, perimetri i shtëpisë të ruhej me vëmendje të veçantë, në mënyrë që të mos ndodhte ndonjë befasi nga forcat armike.
Në këtë shtëpi gjetën strehë e përkujdesje edhe shumë komandantë e ushtarë të Zonës Operative të Karadakut, si dhe të Zonës së Nerodimës e Zonës së Llapit.
Ndër ta ishin edhe Dëshmorët e Kombit: Pajazit Ahmeti, Muharrem Ibrahimi, Bahtir Jahiri, Enver Miftari, Fadil Jakupi, Rrahman Dini, Bashkim Selishta- Petriti dhe Shefik Miftari.
E gjithë struktura e shtëpisë u përshtat për qëllime lufte: kati përdhesë u kthye në depo për ushqime e armë, ndërsa kati i parë u shndërrua në hapësirë për pushim e strehim të ushtarëve. Familja Gashi, në një mënyrë, u bashkua fizikisht me ushtarët e lirisë, duke ndarë me ta çdo rrezik, çdo copë buke dhe çdo ditë shprese.
Nënë Stane Gashi kujton me krenari:
“Bukën për ushtarët e UÇK-së e kthenim me kënaqësi. Edhe copën e fundit e ndamë me ta, pa menduar nëse nesër familja jonë do të ketë për të ngrënë apo jo.”
Ajo rrëfen se vetëm në një ditë kishin shërbyer 30 ushtarë, duke i ushqyer dy herë brenda ditës, gjithmonë me kujdes që ushqimi të ishte i freskët. Ushtarët, me modesti, përpiqeshin të mos ndiheshin në luks, por siç thoshte ajo:
“Ashtu siç do t’i kishim shërbyer djemve tanë, ashtu i kemi pritur e nderuar të gjithë.”
Të nderuar të pranishëm,
Një luftë pa logjistikë është një luftë e humbur. Prandaj, çdo familje e çdo individ që ka qenë në shërbim të luftës çlirimtare meriton nderim e respekt të përjetshëm.
E veçanta e kësaj historie është dimensioni i saj njerëzor dhe shpirtëror:
Shtëpia e Nue dhe Stane Gashit, e besimit katolik, u bë strehë për qindra ushtarë të UÇK-së, shumica prej të cilëve i përkisnin besimit mysliman. Ky është një shembull i madh bashkimi, harmonie dhe dashurie për atdheun – një vlerë që duhet të shërbejë si model për të gjithë njerëzimin.
Në fund, me iniciativën e z. Ismet Sylejmanit dhe me përkrahjen e Kryetarit të Komunës z. Alban Hyseni, është propozuar emërtimi i një rruge me emrin e të ndjerit Nue Gashi, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e kësaj familjeje.
Komisioni për emërtimin e rrugëve e ka pranuar me kënaqësi këtë propozim dhe ka rekomanduar që Kuvendi Komunal ta aprovojë.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit!
Blerim Haziri,
Gjilan, 17 Janar 2025!



