Historia, mësuesja e bashkimit kombëtar

30 nëntor 2018 | 11:08

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia

Skicë për bashkimin kombëtar

– O sot, o kurrë: Historia mësuesja e jetës

Janë të shumtë shembujt, ngjarjet dhe kohët pozitive nga historia jonë e lavdishme, që janë aktuale dhe duhet të na shërbejnë për udhëzues edhe sot, në veprimet e përbashkëta politike, shtetërore e kombëtare drejt bashkimit kombëtar.

Kuvendi i Lezhës 1444 duhet të na shërbejë shembull modeli për unitet kombëtar, sepse në këtë Kuvend morën pjesë të gjitha principatat e atëhershme shqiptare të arbrit dhe pa asnjë kundërshtim, zgjodhën Gjergj Kastriotin Skënderbeun kryetrim të luftës së përbashkët kundër robërisë osmane, dhe Krujën e zgjodhën kryeqendër të rezistencës shqiptare.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare, të cilin e diktuan rrethanat, tuboi në një gjuhë e një flamur, përfaqësuesit nga gjitha hapësirat dhe besimet fetare shqiptare në Prizren, për mbrojtjen dhe çlirimin e atdheut dhe lirinë e popullit nga sundimi osman.

Kongresi i Manastirit më 1908, ngjarje e lavdishme për identitet kombëtar, që dëshmon se, shqiptarët kishin aspiratë jo vetëm çlirimin e atdheut e lirinë kombëtare, por kishin synim edhe bashkimin kombëtar. Në këtë Kongres marrin pjesë delegatët intelektualët atdhetarë, krijuesit dhe veprimtarët e çështjes kombëtare nga të gjitha hapësirat etnike shqiptare. Për zgjedhjen e alfabetit të përbashkët të gjuhës kombëtare shqiptare. Karakteristikë e veçantë ishte se pjesëmarrësit e Kongresit ishin nga të gjitha besimet fetare dhe vendosen që, shkronjat për gjuhën shqipe, krijimet shpirtërore shqiptare, të shkruhen me shenja grafike, shkronja latine, që ishte përcaktim në drejtim perëndimor-latin, duke u ndarë nga dy krahët lindorë, lindjes osmane-arabeturke dhe lindjes ortodokse-grekosllave.

Kongresi i Manastirit për katër vjet i priu shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar në Vlorë më 28 nëntor 1912. Kur shqiptarët e përbashkuar, të prirë nga plaku mjekërbardhë, Ismail Qemaili, ngritën flamurin kombëtar në Vlorën heroike. Pavarësia shqiptare ishte për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha trojet shqiptare. Ishte, siç e pat thënë i madhi Isa Buletini, udhëheqësi i gardës dhe mbrojtësi në Kuvendin e Lezhës dhe Ismail Qemailit, “Shqipëria është gjithandej ku bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë”.

Ndërsa ngjarje madhore që i kurorëzoi aspiratat shekullore për njësimin e gjuhës shqipe, me një unitet të paparashikuar, kur marrim rrethanat dhe pozitën e shkapërderdhur të shqiptareve në disa shtete, më 1972 në Tiranë, u arrit mbajtja e Kongresit për njësimin e gjuhës letrare shqiptare. Në këtë Kongres, duke llogaritur parapërgatitjet e gjata në hapësirat shqiptare jashtë Shqipërisë, si Konsulta e gjuhës shqipe e vitit 1968 në Prishtinë. Pjesëmarrësit, shkencëtarë gjuhëtarë, publicistë, letrarë dhe intelektualë krijues e artistë, pas disa ditësh diskutimi e trajtimi shkencor e kombëtar, pa asnjë kundërshtim, arritën qëllimin e madh historik e kombëtar, njësimin e gjuhës letrare kombëtare.

Këta shembuj, këtu vetëm të zënë në gojë, si edhe shumë ngjarje e kohë të tjera në historinë tonë të lavdishme, sot veprimet demokratike në dy shtetet shqiptare dhe hapësirat etnike shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, patjetër duhet të marrin për mësime e t’i mbështesin për mësime të historisë e mësime nga mësuesi ynë i madh – populli, të shërbejë për një ndryshim e veprim pozitiv politik, moral dhe kombëtar. Ne shqiptarët, klasat politike dhe institucionet shtetërore shqiptare. Aktualisht qeveritë e shteteve shqiptare, andej e këndej Drini, domosdo duhet të largojnë e të largohen nga shëmtia tradicionale e përçarjes. Të ndërrojnë formën dhe mënyrën e veprimit të qeverisjes në drejtim të përbashkimit, mrekullisë monumentale kombëtare kur është interesi kombëtar dhe shtetëror. Përçarja është shëmtia jonë tradicionale që na ka përcjellë e na ka dëmtuar më shumë se pushtuesit dhe armiqtë tanë historikë e që, për fat të keq, edhe në kohët tona të demokracisë po na përcjellin. Shëmtia është futur, si mish dhie, jo vetëm në qeniet tona personale, por është bërë pjesë e dukuri e moralit tonë politik në jetën sonë politike, shtetërore dhe kombëtare.

Atdheu mbi të gjitha!

Shqipëria e shqiptarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të…